Lajme

Inter ngushëllon ndarjen nga jeta të Dwamena: Jemi pranë familjes dhe klubit të Egnatias

Vdekja tragjike e Raphael Dwamena, sulmuesit të Egnatias në Superiore, ka tronditur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë.

Klubi i famshëm italian, Inter i është bashkuar ngushëllimeve. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, zikaltërit ngushëllojnë vdekjen e parakohshme të sulmuesit ganez.

“FC Internazionale Milano shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Rafael Duamena, jemi pranë familjes dhe klubit Egnatia në këtë moment zie”, thuhet në postimin e klubit italian, Inter.

Kujtojmë që në një ndeshje miqësore të zhvilluar në muajin gusht mes Interit dhe Egnatias, Dwamena shënoi në portën e zikaltërve. Takimi përfundoi me shifrat 4:2 teksa ekipi nga Rrogozhina zhvilloi një ndeshje të mirë.

Sulmuesi nga Gana humbi jetën sot gjatë sfidës Egnatia-Partizani. Ishte minuta e 25 e pjesës së parë kur Dwamena ra pa ndjenja në fushën e blertë. Me gjithë ndërhyrjen e ekipeve mjekësore, ganezi nuk ia doli t’i mbijetojë atakut kardiak, ndërsa vite më parë ishte diagnostikuar nga një sëmundje në zemër.

/Shqip.com