Lajme

Institucioni i Avokatit të Popullit shpenzoi 278 euro për “Dreka Zyrtare”, nuk ofron dëshmi se ku dhe me kë i harxhoi

Avokati i Popullit
Avokati i Popullit

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) gjatë vitit 2021 kishte shpenzuar 278 euro e 50 centë në shtatë raste për “Dreka Zyrtare”.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka bërë të ditur se për këto raste IAP nuk ka ofruar dëshmi që ishin përdorur për qëllime të kryerjes së detyrave zyrtare.

“Në shtatë raste shpenzime ‘Dreka Zyrtare’ në vlerë prej 278.50€, IAP nuk ka mundur të ofroj dëshmi që këto shpenzime ishin përdorur për qëllime të kryerjes së detyrave zyrtare, aktiviteteve dhe takimeve të ndryshme të punës me karakter zyrtar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

ZKA ka bërë të ditur se mosrespektimi i kërkesave të vendimit për shpenzimet e reprezentacionit në IAP, ka ndikuar në realizimin e shpenzimeve të pa arsyeshme.

Pas kësaj auditori ka rekomanduar IAP-në që të identifikoj shkaktarët e mos respektimit të vendimit për shpenzimet e reprezentacionit dhe të siguroj kontrolle adekuate në mënyrë që mangësitë e tilla të mos ndodhin në të ardhmen.

Sipas Neni 5 të Vendimit nr. 247/2019, të datës 4 nëntor 2019, për caktimin e të drejtës dhe të shumës mujore të reprezentacionit për zyrtarët e IAP-së, përcakton që shpenzimet e reprezentacionit përdoren vetëm për mbulimin e shpenzimeve të cilat bëhen me rastin e kryerjes së detyrave zyrtare, aktiviteteve dhe takimeve të ndryshme të punës me karakter zyrtar, dhe nuk mund të përdoren për nevoja e qëllime të tjera./Shqip.com