Infrastruktura mban peng turizmin në juglindje të Shqipërisë
Në trasenë e segmentit të rrugës nacionale Ersekë-Leskovik një firmë ndërtuese po punon për rikthimin e normalitetit në pjesën më të dëmtuar të saj. Megjithatë, drejtuesit e mjeteve përpiqen ta shmangin kalimin nga ky aks, duke preferuar rrugën më të gjatë nëpërmjet superstradave të Shqipërisë së mesme.
Rruga Ersekë-Leskovik 42 km thuajse të pakalueshme
“Jo, jo, nuk jua këshilloj që të kaloni nga Leskoviku“, tha Artani, një djalë i ri nga Përmeti. Ditën e Shën Valentinit unë shkova në Korçë, po u bëra pishman. Rruga është për faqe të zezë, shtoi ai për BIRN.
Artani shton se në dimër përrenjtë mund të dalin nga shtrati, duke bllokuar trafikun. Pasiguria e lëvizjes së automjeteve ka ndikuar negativisht në lidhjet turistike të qyteteve të juglindjes, pasi udhërrëfyesit-guida nuk duan të rrezikojnë transportin e udhëtarëve vendas apo të huaj.
Vasili, që administron një nga hotelet në qendër të Përmetit tha për BIRN se të huajt kanë informacione për afërsinë me Korçën, 130 km gjithsej, dhe duan ta njohin zonën dhe ta përshkojnë atë.
“Para një muaji Përmetin e vizituan një grup i madh gazetarësh. Ata lëvizën me autobus, dhe iu deshën më shumë se 4 orë deri në Ersekë“, tha më tej Vasili. Të njëjtën gjë si gazetarët bëri edhe Shpëtim Canka, i cili bashkë me të afërmit e tij, mbërriti nga Leskoviku në Ersekë për dy orë, shkruan Balkan Web.
“Unë jam me origjinë nga Përmeti dhe vij shpesh në vendin e të parëve të mij“.
“Më pas, herë pas here vazhdoj për në Korçë, pasi kam vizituar edhe monumentet historikë dhe natyrorë të zonës“, tha mesoburri nga Durrësi, duke shtuar: Çfarë kuptimi ka që të kthehem në Rrogozhinë për t’iu drejtuar pastaj Pogradecit apo Korçës.
Nga Përmeti deri në Leskovik rruga e rindërtuar vitet e fundit si dhe vendqëndrimet e automjeteve e bëjnë mjaft të këndshëm udhëtimin, me lumin Vjosë dhe Malin e Nëmërçkës në të njëjtin krah.
Situata ndryshon kur hyn mes fshatrave të Kolonjës, aty ku numri i automjeteve në rrugë nuk i kalon gishtat e një dore.
Udhëtimi i Shpëtimit u ndërpre për rreth 20 minuta, kur mjetet e rënda të një firme ndërtuese po zgjeronin karrexhatën e rrugës, duke përdorur gurët e thyer nga një gurore pranë. Andoni, një nga teknikët specialistë tha për BIRN se rikonstruksioni i rrugës prej 42 km dhe zgjerimi i saj ka nisur kohë më parë.
“Tashmë është shpallur edhe firma e cila do të fillojë punën në muajin maj dhe brenda një viti do të dorëzojë objektin e asfaltuar dhe të përfunduar”, vijoi Andoni, pa e hequr vëmendjen nga punonjësit dhe mjetet në rrugë.
/Shqip.com