Lajme

Infermierët: Na u është garantuar se Ligji për paga miratohet në fillim të janarit

Kryetari i Shoqatës së Infermierëve, Përparim Berisha

Sindikata e Infermierëve të Kosovës thotë se i është premtuar nga Komisioni për Shëndetësi se Ligji për Paga do të shkojë në Kuvend, në fillim të vitit të ardhshëm, transmeton Shqip.com.

Kryesindikalistët thonë se u është garantuar se do të ketë ndryshim të koeficientit për infermierët sipas kërkesës së tyre.

Kryetari i Shoqatës së Infermierëve, Përparim Berisha, ka thënë se këto garanci u janë dhënë nga kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, dhe deputetin Mirsad Shkreta.

Berisha u shpreh se atyre u është garantuar se gjatë vitit 2022 do të fillojmë implementimi i atij ligji.

“Diskutuam për mundësinë e prurjes së Ligjit të pagave në Kuvend, ata na garantuan që Ligji i pagave do të fillojë të vijë në Kuvend në fillim të vitit të ardhshëm dhe gjithashtu do të fillojë edhe implementimi i tij gjatë vitit të ardhshëm. Po ashtu, na garantuan që koeficientët diskriminues të cilët i rrëzoi Gjykata Kushtetuese nuk do të jenë ata, po do të jenë sigurisht më të lartë ashtu siç kemi kërkuar ne”, ka thënë ai, raporton KP.

Nënkryetari i Shoqatës së Infermierëve, Enlirat Duraku, ka deklaruar se nëse nuk do të mbahet premtimi për ndryshim të koeficientit për infermierët atëherë do të ndërmarrin veprime sindikale.

Nënkryetari i Shoqatës së Infermierëve, Enlirat Duraku

“Ne si Sindikatë nuk e kemi mbështetur asnjëherë protestën, as grevën e organizatave të tjera, të cilat për qëllim e kanë pasur vetëm presionin për ta buxhetuar ligjin aktual, e qysh e potencova është me koeficientët e kaluar, të cilët për ne janë të papranueshëm”.

“Andaj për momentin ne nuk kemi asnjë masë apo veprim sindikal, në qoftë se ndodh e kundërta apo pranohet, nënshtrohen institucionet ndaj presionit të organizatave të tjera që të kalojë ky ligj me këtë koeficient ofendues për neve atëherë në Këshillin Drejtues dhe në Kryesi do të dakordohemi për masat dhe veprimet sindikale, që ju sigurojmë që nuk do t’i kursejmë”, ka shtuar ai. /Shqip.com