Lajme

Infektologu Ahmeti: Nuk dihet se kur do të përfundojë pandemia

Infektologu Salih Ahmeti

Vaksina kundër Coronavirusit vlerësohet si shkak i uljes së numrit të vdekjeve nga ky virus.

COVID-19, ka qenë virusi i cili ndryshoi gjithë botën, duke lenë me qindra njerëz të vdekur, por që nga shpikja e vaksinës situata është më e lehtësuar.

Infektologu Salih Ahmeti thekson se sikur të mos kishte ekzistuar vaksina, atëherë numri i vdekjeve do të ishte më i madh.

“Vaksinimi përpos që ka krijuar një mundësi mbrojtje në ballafaqim me këtë virus, ka arritur të krijojë një siguri te personat që e kanë marrë vaksinën dhe të bëjë edhe një relaksim psikik”, tha Ahmeti gjatë një bashkëbisedimi në zyret e UNICEF-it.

Infektologu Salih Ahmeti ka thënë se bota pa një vaksinim efikas do të dukej krejtësisht ndryshe.

Ndërkohë që pandemia po shënon shenja të dobësimit në nivel global, Ahmeti thotë se ende nuk dihet se kur do të ketë një përfundim të saj.

Vaksina anti COVID-19

“Ne kemi ‘drita jeshile’ për përfundimin e pandemisë, por ende nuk jemi të sigurt se kur do të ndodhë dhe nuk mund të jemi të relaksuar asnjëherë për mundësinë e shfaqjes se befasishme nga më të ndryshmet”, tha ai.

Ahmeti ka folur edhe rreth hezitimeve për vaksinimin e grave shtatzëna.

“Hezitimet për vaksinimin e grave shtatzëna kanë ekzistuar sidomos në muajt e parë të fillimit të vaksinimit, jo vetëm te ne, por në nivel global. Sot qoftë nga OBSH-ja dhe nga organizatat tjera shëndetësore dhe kompetente vaksinimi i shtatzënave është i rekomandueshëm në mënyrë të fuqishme”, përfundoi Ahmeti.

Spas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në 24 orët e fundit janë dhënë 310 doza të vaksinës kundër COVID-19.

 Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.818.408 doza të vaksinës.

Deri më sot 818.715 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, 98.799 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës./Shqip.com