Lajme Botë

India bllokon fondet e huaja për organizatën bamirëse të Nënë Terezës

Qeveria e Indisë ka refuzuar vazhdimin e licencës për organizatën bamirëse të themeluar nga Nënë Tereza, përmes së cilës i mundësohet marrja e fondeve të huaja.

Organizata, Misionarët e Bamirësisë, është një nga organizatat bamirëse krishtere më të njohura në botë. Ajo ka vazhduar të mbledhë fonde globalisht për të paguar për bujtinat, kuzhinat e supave, dhe jetimoret që operon në të gjithë Indinë. Por, gjatë Krishtlindjeve, ky financim u ndërpre.

Ministria e Brendshme e Indisë ka bërë të ditur se nuk ia ka vazhduar regjistrimin kësaj organizate për shkak të “të dhënave negative”.

Qeveria tha se vuri re disa “të dhëna negative” gjatë shqyrtimit të aplikacionit të bamirësisë për rinovim. Nuk shtjelloi, shkruan revista NPR.

Qeveria e kryeministrit Narendra Modi tash e një kohë synon të bllokojë fondet e huaja për organizatat e bamirësisë dhe organizata tjera joqeveritare me bazë në Indi.

Në Indi, janë pothuajse rreth 30 milionë të krishterë, ose rreth 2.3% e popullsisë. Ata janë pakica më e madhe fetare, pas myslimanëve.

Qeveria nacionaliste hindu e kryeministrit Narendra Modi ka akuzuar Misionarët e Bamirësisë dhe grupe të tjera të krishtera se po përpiqen të detyrojnë hindutë të konvertohen, ndërkaq  Organizata bamirëse ka mohuar akuzat e qeverisë.

Nënë Tereza u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për punën e saj në vitin 1979.