Lajme

Imeri: Kemi qenë skeptikë për vlerën e koeficientit

Qeveria e Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje është përcaktuar edhe koeficienti i pagës që pritet të zbatohet që nga dita e sotme.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që një koeficienti të ketë vlerën prej 105 euro.

“Pas këtij procesi shumë kompleks e voluminoz, është mbërritur të vlera e koeficientit për vitiin 2023 dhe ai është 105, ndërsa në janar të vitit 2024 sipas përllogaritjes së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ai do të jetë 110 euro”, ka thënë Kurti.

Lidhur me këtë ka ardhur edhe reagimi nga Tevide Imeri nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.

“Qysh nga fillimi kam qenë skeptike për vlerën e koeficientit. Për raportimet se kjo vlerë do të jetë 120 apo 130 euro nuk kam besuar asnjëherë, sepse po të ishte kështu Qeveria do ta bënte publike më herët. Duke mos e bërë publike, Qeveria rriti dilemat”, tha Imeri për Shqip.com

Më tutje Imeri thotë se nesër do të ketë takim të Këshillit Drejtues dhe aty do të merret një vendim për hapat e mëtutjeshëm.

“Nesër në ora 10 do të kemi takim me Këshillin Drejtues dhe aty të merret një vendim se çfarë do të bëhet tutje. Ankesën e kemi të gatshme për ta dërguar në Kushtetuese, në qoftëse Këshilli vendos nesër për një gjë të tillë”, tha Imeri.

Kundër këtij koeficienti janë shprehur edhe nga SBASHK-u.

/Shqip.com