Lajme

Ilir Meta rikonfirmohet kryetar i Partisë së Lirisë

Ilir Meta - Kryetar i Partisë së Lirisë

Ilir Meta është rikonfirmuar në krye të Partisë së Lirisë. Komisioni i Zgjedhjeve në Partinë e Lirisë ka konfirmuar Ilir Metën si kryetar të zgjedhur me 719 vota.

Në votimin për kryetarin morën pjesë 722 delegatë. Në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë u zgjodhën edhe 236 anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar.

Ish-presidenti i Shqipërise, Ilir Meta ka vendosur që të transformojë LSI-në e dikurshme në Parti të Lirisë.

Në pyetjen që iu është bërë para disa javësh se pse këtë emër, ai është përgjigjur se në Shqipëri mungon liria e qytetarëve.

“Sepse këtu është kërcënuar liria, kryeministri thotë e di se çmendoni. Patronazhistët dinë çdo gjë që bëni ju dhe mendoni ju. Nuk po flasim për tendera sekrete e transparencë, as për përndjekjen politike që ndodh çdo ditë me dhjetëra mijëra gjoba që i vihen qytetarëve. Janë vënë në diskutim serioz të drejtat e liritë e qytetarëve”, ka thënë Meta.

Para pak ditës, Meta dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha kanë arritur marrëveshje të garojnë së bashku në zgjedhjet e bashkive në Shqipëri.

/Shqip.com