Sport Shqiptar

Ilir Avdyli është “Ylli i Javës” së 20-të në Albi Mall Superligën e Kosovës

FOTO: Federata e Futbollit e Kosovës - Football Federation of Kosova
FOTO: Federata e Futbollit e Kosovës - Football Federation of Kosova

Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.

Çmimi i më të mirit për javën e 20-të i ka takuar portierit të FC Llapi, Ilir Avdyli. Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Albert Hasani, Vëllaznim Visoka dhe Besim Slishani.

Komisioni vlerësoi se portieri i llapjanëve ishte më i merituari në fitoren që skuadra e tij e arriti kundër Trepçës’89 (2:1).

Ai përgjatë tërë ndeshjes pati performancë të jashtëzakonshme, ku fillimisht priti penalltinë tek rezultati 0:0, derisa më pas pati edhe disa intervenime tjera gjatë lojës, duke mos lejuar skuadrën kundërshtare t’ia rrezikojë fitoren K.F. Llapi.

Çmimin “Ylli i Javës” për Avdylin e ndau Benjamin Gecaj, menaxher për data marketing dhe siguri kibernetike në Albi Mall.

Shpallja e tij si më i miri i javës së 20-të është një nder i veçantë për portierin e llapjanëve dhe dëshmon kualitetin dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme në portë. Pa dyshim ky çmim do të mund të shërbejë edhe si frymëzim për bashkëlojtarët e tij për paraqitje edhe më të mira në ndeshjet e ardhshme.

“Te shpallësh më i miri i xhiros është një kënaqësi e madhe sidomos për faktin që kjo xhiro ka pasur shumë gola dhe rrjedhimisht konkurrenca për ‘Yllin e Javës’ ka qenë e madhe. Ndeshjet si vendas dhe presioni i pikëve nuk lejojnë që ekipi të jetë i liruar dhe të bëjë lojë kreative, prandaj edhe ndeshja me Trepça ’89 ka qenë e vështirë. Më gëzon fakti që e kam ndihmuar ekipin të arkëtojë 3 pikë shumë të rëndësishmë për vazhdimësi më të qetë në Albi Mall Superligë. Falënderoj bashkëlojtarët për mundin dhe angazhimin që e bëjnë çdo ndeshje. Llapi synon që të renditet i treti në tabelë dhe si zakonsiht ta fitojë Kupën e Kosovës. Besoj që jemi në rrugë të duhur për të arritur objektivat tona dhe do të punojmë shumë nga ndeshja ne ndeshje“, theksoi Avdyli për faqen zyrtare të FFK-së pas marrjes së këtij çmimi.

/Shqip.com