Lajme

Ilir Abdullahu, i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës, del para gjykatës

Ka përfunduar seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Ilir Abdullahut, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza, i cili u arrestua të dielën në Batllavë, pas 16 vitesh në arrati.

Gjytari i procedurës paraprake pritet që të marrë një vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Lajmin për Gazetën Express e konfirmoi Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Është mbajtë seanca dëgjimore, i pandehuri ka dal para gjyqtarit të procedurës paraprake dhe gjyqtari pritet të marrë një vendim”, tha Gashi.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Ilir Abdullahu në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B, F. A, Rr.A, si grup i organizuar nga i pandehuri E.S, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta T.R, për shkak se i njëjti, më parë në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur E.S.

“Me këtë në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’ nga neni 147 paragrafi 1 nën paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të KPPK-së (Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës)”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Për arrestimin e Abdullahut ka folur edhe babai i Triumfit, Shefqet Riza.

Shefqet Riza tha se Ilir Abdullahu është njëri nga kryesorët që ka marrë pjesë në vrasjen e të birit. Për të njëjtin tha se ka qenë “dora e djathtë” e Enver Sekiraqes.

Sipas Rizës, ata së bashku e kanë terrorizuar Prishtinën.

“Organet e rendit e kanë kryer punën e tyre, ai ka qenë i fshehur deri më tani në vende të ndryshme, por megjithatë, drejtësia triumfoi herdo-kurdo, është njeriu kryesor që ka marrë pjesë ky edhe Rrahim Abdullahu kanë qenë dora e djathtë e Enver Sekiraqes, strumbullari i krejt problemit është Enver Sekiraqa, rreth qatij banditi janë mbledh krejt banditët e tjerë që e kanë terrorizu krejt Prishtinën, mos të them edhe Kosovën. Kështu që kam fjalë të mira për policinë, mirë që e kanë arrestu se është një prej pjesëmarrësve kryesor në vrasjen e Triumfit, por strumbullar kryesor është Enver Sekiraqa. Më i keq është nxitësi sesa vrasësi, Enveri është ai që e ka nxitë vrasjen”, tha Riza.

Babai i Rizës pret nga organet e drejtësisë që Abdullahu të dënohet.

/Shqip.com