IKSHPK nxjerr rezultat tjetër të analizave: Rikonfirmohet se uji në Deçan s’është i infektuar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka nxjerrë rezultatet e analizave mikrobiologjike të mostrave në rastin e helmimit të banorëve në Komunën e Deçanit, të cilat kanë rezultuar negative, transmeton Shqip.com.
Sipas rezultateve të këtyre analizave, uji në Deçan, nuk është i infektuar.
Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosovën, Adnora Nurboja nga IKSHPK, e cila ka deklaruar se pavarësisht këtyre rezultateve, ditëve në vazhdim do të merren sërish mostra për testim.
Analizat janë kryer në laboratorët mikrobiologjike të IKSHPK-së, për të mësuar nëse ky rast ka të bëjë me kontaminim.
Mbi një mijë e 500 qytetarë në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore që nga e shtuna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, dy prej të cilëve kanë vdekur, për shkak të dyshimeve për helmim me ujë të pijes.
Dy rastet e vdekjeve janë cilësuar si të dyshimta, ndërkaq trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore./Shqip.com