Lajme

IKSHPK: Dy variantet e Omicron me pasoja të rënda dhe fatale për qytetarët, respektoni masat

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka bërë të ditur se Omicron është duke u përhapur shpejtë.

Sipas IKSHPK-së, dy variantet e Omicron (BA.1 dhe BA.2) po vazhdojnë të përhapen me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe me raste fatale.

“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, thuhet në njoftim.

Maska

Ndërsa, kanë rekomanduar që maskat të përdoren në çdo vend dhe tëm bahet distanca 2 metra.

“Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska!”.

Po ashtu, qytetarëve u kanë bërë athirrje që të vaksinohen kundër COVID-19.

“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Masat anti-COVID

Theksojmë se pas rënies së rasteve me COVID-19, Qeveria e Kosovës ka vendosur të lehtësojë masat antiCovid, duke hequr kufizimin e lëvizjes. 

Më 1 mars, Qeveria vendosi të largojë orën policore. Maskat u bënë të obligueshme vetëm në ambiente të brendshme.

Ndërsa, gastronomisë iu lejua puna me orar të plotë, me obligimin që të kontrollohet dëshmia e vaksinimit.

Në Kosovë mund të hyjnë edhe ata persona që janë të vaksinuar vetëm me një dozë të vaksinës dhe kanë një test PCR negativ për Covid 19.

Përveç këtyre, qytetarët mund të hyjnë në territorin e Kosovës edhe me tri dëshmi të tjera të Covid 19.

Mbetet i ndaluar shfrytëzimi i transportit publik pa maskë./Shqip.com