Lajme

IKShPK del me njoftim për vaksinën kundër gripit sezonal

Vaksina kundër gripit sezonal

Duke pasur parasysh numrin e madh të rasteve me grip sezonal në Kosovë, ku vetëm në dy muajt e fundit janë paraqitur mbi 15 mijë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë me një thirrje për qytetarët që të vaksinohen.

Sipas institutit, vaksinat e gripit sezonal janë të sigurta dhe efektive, ndërsa efektet e padëshirueshme pasvaksinale janë të rralla dhe kryesisht minore.

Në njoftim bëhet e ditur se me qëllim të zvogëlimit dhe eliminimit të rrezikut për paraqitjen e epidemisë së gripit si dhe sëmundjeve të tjera vaksinë parandaluese, një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës është edhe zbatimi i programit të zgjeruar të imunizimit, duke synuar përfshirjen e të gjitha komuniteteve.

“Ministria e Shëndetësisë ka siguruar qëndrueshmëri financiare për programin e zgjeruar të imunizimit (PZI), vaksinat sipas indikacioneve si dhe ato të trafikut ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatën për media.

“Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si mbikëqyrës i zbatimit të programit të imunizimit si dhe Institucionet e kujdesit parësor shëndetësor si institucione zbatuese, është siguruar funksionalizimi i PZI-së, në përgjithësi”.

“Synimi kryesor është përfshirja me vaksinë të gripit e të gjithë personave me risk të lartë në Republikën e Kosovës për t’i mbrojtur nga viruset e gripit sezonal që mund të parandalohet përmes vaksinimit (VPS) si dhe sigurimin e mbulueshmërisë sa më të madhe me vaksinë”.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike

Tutje, thuhet se krahas vaksinimit të obliguar me Ligj për fëmijët e grup moshës së caktuar, vaksinimi sipas indikacioneve epidemiologjike dhe trafikut ndërkombëtar ka rëndësinë e vet në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve të ndryshme jo vetëm brenda territorit të Kosovës, por edhe nga një shtet në tjetrin.

Sa u përket praktikave të imunizimit dhe administrimit të vaksinave, IKShPK-ja thotë se ato janë cilësore dhe procedurat respektohen sipas standardeve ndërkombëtare.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) në vitin 1994 ka themeluar të ashtuquajturën ‘Global Programme for Vaccines and Immunization’ (Programi Global për Vaksina dhe Imunizim) ku si qëllim të vetëm ka përcaktuar ‘Bota në të cilën të gjithë njerëzit me rrezik janë të mbrojtur nga sëmundjet ngjitëse vaksinë-preventabile’”.

“Në njohjen e domethënies kërcënimi shëndetësor i paraqitur nga kjo sëmundje, autoritetet e shëndetit publik në vendet me të ardhura të larta dhe të ulëta po i japin përparësi gjithnjë e më shumë parandalimit dhe kontrollit të gripi”t.

Vaksina e gripit në Kosovë ofrohet çdo vit para sezonës së gripit për grupet me risk të lartë.

“Bazuar në analizën e raporteve të përfshirjes me vaksinim të viteve paraprake është bërë planifikimi për sigurimin e sasisë së vaksinave prej 140.000 dozave gjatë sezonës 2021/22 për tërë territorin e vendit”.

“Imunizimi është një nga fushat e rëndësisë strategjike për shëndet publik. Vaksina e gripit është metoda më e mirë për parandalimin dhe kontrollin e gripit. Vaksinat e gripit sezonal janë në dispozicion dhe janë përdorur për më shumë se 60 vjet”.

“Gripi shkakton 3-5 milionë raste të formës së rëndë të sëmundjes si dhe deri në 650,000 vdekje në vit në nivel global. Infeksionet e traktit respirator të poshtëm janë shkaku kryesor i vdekjeve në vendet me të ardhura të ulta çdo vit”.

S”AGE (Grupi Strategjik Këshillëdhënës i Ekspertëve në OBSH) rekomandon vaksinimin vjetor sezonal të gripit për pesë grupe të synuara: punëtorët shëndetësorë, personat mbi moshën 65 vjeçare, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike”.

“Vaksinimi kundër gripit sezonal është treguar i suksesshëm në zvogëlimin e barrës substanciale kombëtare, rajonale si dhe barrën globale shëndetësore dhe ekonomike nga gripi sezonal”./SHQIP.com