“Iki nga politika nëse humbas zgjedhjet”/ A do ta mbajë premtimin Arben Taravari?
Ish-kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kandidat për President të Maqedonisë së Veriut nga koalicioni opozitar VLEN, thotë se e ka prioritet kryesor përshpejtimin e integrimit evropian të vendit. “Në rast se fitoj në zgjedhje, çështja e parë që do të kërkoja nga mandatari për formimin e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve, më 8 maj, do të ishte përshpejtimi i ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, që është kusht për bisedimet e anëtarësimit”, thotë Taravari në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se nga Brukseli do të kërkonte garanci që nuk do të ketë kushte të reja për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Europian. Si prioritet tjetër për Taravarin është edhe largimi i Maqedonisë së Veriut nga nisma “Ballkani i Hapur”.
Taravari, kandidati i koalicionit VLEN, në të cilin janë bashkuar partitë opozitare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, konsideron se karriera, siç thotë ai, e “pastër” politike, pa skandale dhe afera, është përparësi ndaj kundërshtarit të tij të drejtpërdrejtë, Bujar Osmanit nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Taravari ka bërë edhe një premtim bombastik. Ai ka thënë se do të largohet nga politika nëse nuk fiton zgjedhjet e 8 majit.
“Nëse nuk fitojmë në këto zgjedhje mendoj se ashtu duhet të jetë. Edhe në gjithë botën perëndimore është ashtu, në të gjitha demokracitë e zhvilluara është ashtu. Nëse i humbni zgjedhjet, të paktën para organeve të partisë… edhe pse te ne kishte zhvillime të caktuara, nuk mu lejua nga bashkëpartiake të paktën një palë zgjedhje t’i çojë deri në fund. Ndërsa unë ju thash, kërkoj besimin e gjithë juve. Një palë zgjjedhje deri më 8 maj, nëse nuk fitojmë më 8 maj, unë jam këtu për të dhënë dorëheqje dhe nuk do të kishte forcë që mund të më ndalojë që të mos jap dorëheqje nëse do të ishim të unifikuar dhe nuk do të fitonim. Edhe kështu do të fitojmë”, tha ai.
Taravari bën mirë që jep të tilla deklarata dhe premtime për dorëheqje sepse gjëja e parë që do t’i kërkohet nga mbështetësit e tij (aq sa ka) do të jetë pikërisht largimi dhe marrja përsipër e përgjegjësisë për të gjitha vendimet e gabuara me tendencë përçarjen e Aleancës për Shqiptarët, kur ‘kapërceu ylberin” dhe shkoi te Bilall Kasami e Izet Mexhiti.
/Shqip.com