Lajme

IKD: Drejtësia dështoi në luftimin e korrupsionit

IKD
IKD

Lufta kundër korrupsionit edhe gjatë vitit të kaluar (2022) nuk ka shënuar rezultate të pritshme dhe mbetet sfidë për sistemin e drejtësisë. Sipas të gjeturave të raportit “Dështimi i drejtësisë në luftimin e korrupsionit” të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) që u publikua të shtunën, Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, pasi numri i rasteve të pazgjidhura ka shënuar rritje për 314 lëndë. Ndërsa edhe në gjykata, numri i lëndëve të pazgjidhura ka shënuar rritje, me tetë të tilla.

Gëzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, deklaroi se gjatë vitit të kaluar Prokurori i Shtetit ka zgjidhur lëndët e 826 personave derisa ka pranuar lëndë për 1140 persona, duke bërë që në fund të vitit numri i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit të rritet.

Shala tha se gjatë vitit 2022, Prokurori i Shtetit ka akuzuar 98 persona për vepra të ndryshme penale nga kapitulli i veprave të korrupsionit. Më së shumti aktakuza ka ngritur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (25) dhe më pas Prokuroria Themelore e Prishtinës (19). Ndërsa, numrin më të ulët të personave të akuzuar për korrupsion e ka Prokuroria Themelore e Ferizajt (3).

Mirëpo, nga 98 personat e akuzuar për korrupsion, vetëm 8 prej tyre i takojnë profilit të lartë. Dhe nga ky numër vetëm një është që është akuzuar gjatë kohës sa ka qenë zyrtar.

Duke u ndalur të provat e Prokurorisë, Shala deklaroi se nga 20 aktakuza që kanë analizuar të përzgjedhura në bazë të metodës rastësore, kanë gjetur se në asnjërën prejtyre Prokurori i Shtetit nuk ka aplikuar masa të fshehta me rastin e zhvillimeve të hetimeve.

Shala tha se Prokuroi i Shtetit më shumë po bën hetim administrativ në rastet e korrupsionit se sa një hetim penal.

Hulumtuesi i IKD-së, Lavdim Makshana, tha se është shënuar regres sa i përket efikasitetit të trajtimit të rasteve gjyqësore të korrupsionit. Sipas tij, gjykatat në shkallë të parë nuk arritën që të zgjidhnin lëndë aq sa pranuan, e rrjedhimisht edhe numri i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit ka pësuar rritje.

Ai tha se në fillim të vitit 2022 gjykatat kishin në punë 275 lëndë të korrupsionit. Përkundër që qëllimi ishte zvogëlimi i këtij numri, në fund të vitit 2022, ky numër u rrit për tetë lëndë ndërsa numri i personave të akuzuar u ngrit për 11 persona.

Makshana deklaroi se efikasiteti në trajtimin e lëndëve të zgjidhura ka pësuar regres edhe në Gjykatën e Apelit, kjo pasi për dallim nga fillimi i vitit 2022 ku Apeli kishte 8 lëndë të pazgjidhura në fund të vitit ky numër është ngritur në 19 lëndë.

Sa i përket politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit, në shumicën e rasteve dënimet e shqiptuara janë me gjobë. Sipas IKD-së, kjo politikë ndëshkimore, me dënime të buta apo të ulëta përçon mesazh negativ tek qytetarët. /KP

/Shqip.com