Lajme

IKD: Deklaratat publike ndaj sistemit të drejtësisë bien në kundërshtim me Kushtetutën

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit, të premten, ka mbajtur bashkëbisedimin, në të cilën është prezantuar raporti me titull “Ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë përmes deklaratave publike”, aktivitet ky në kuadër të “Java Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”.

Sipas komunikatës, në këtë bashkëbisedim, si panelistë, përvec autores së raportit, Eranda Zekaj, ishin edhe Agron Maxhuni, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri; Ersan Qavolli, prokuror në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe avokati Florim Shefqeti.

Hulumtuesja e IKD-së, Eranda Zekaj gjatë prezantimit të raportit vuri theksin në atakimet e institucioneve të sistemit të drejtësisë nga pushteti politik në nivel të Qeverisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Sipas saj ndërhyrjet kanë të bëjnë me performancën në sistemin e drejtësisë, komentimin e aktgjykimeve të gjykatave të rregullta dhe të Gjykatës Kushtetuese.

Zekaj theksoi rëndësinë e parimit të ndarjes së pushteteve, si një ndër parimet jetike në funksionimin e shoqërive demokratike. Ajo tha se “Kjo ndarje, përcakton detyra dhe përgjegjësi, duke përfshirë mekanizmat e kontrollit dhe balancit pa krijuar ndërhyrje” dhe “varësi”. Prej nga pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat.

Sipas Zekajt, një ndalim i tillë promovon sigurinë juridike dhe lejon interpretim përfundimtar nga gjykatat, jashtë ndikimit të pushteteve tjera. Megjithatë, pavarësisht këtij ndalimi, ka pasur një numër të konsiderueshëm të rasteve, kur Gjykata Kushtetuese është dashur të rivendos këtë balancë në mes tre pushteteve. Ajo vuri theksin në situatat kur Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dispozita të caktuara ligjore, me arsyetimin se të njëjtat cenojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, si në rastin e Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik dhe Ligjit NR. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, ku gjykata theksoi se aprovimi i çdo propozimi të Gjyqësorit nga qeveria, padyshim është në kundërshtim me nocionin e pavarësisë “institucionale, funksionale dhe organizative” të Gjyqësorit.

Zekaj, thotë se “Shmangia nga komentet kritike të politikanëve kërkohet nga Rekomandimi i Këshillit të Evropës mbi pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjësitë e gjyqtarëve, Këshilli konsultativ i gjyqtarëve evropianë dhe Komisioni i Venecias. Duke e bërë kështu të qartë se dy pushtetet mund të komentojnë vendimet gjyqësore, duke i’u përmbajtur kritikave që mund të ndikojë në pavarësinë apo besimin e publikut në gjyqësor.”

Ajo shton se pushteti ekzekutiv nuk duhet të inkurajoj mosbindje ndaj vendimeve gjyqësore apo dhunë ndaj gjyqtarëve, pasi që veprime të tilla mund të shkaktojnë ndikim të pahijshëm, presion, nxitje dhe ndërhyrje direkte ose indirekte.

Tutje, ajo shton se “Veprime të tilla bien ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë, parim ky i përcaktuar sipas nenit 6 të KEDNJ-së dhe nenit 31 të Kushtetutës, nenit 3 të Kodit të procedurës penale. Sipas GjEDNj, parimi i prezumimit të pafajësisë, nuk lejon deklarata nga autoritetet publike që mund të inkurajojnë publikun të besojë se i akuzuari është fajtor, apo të paragjykojë vlerësimin e fakteve nga autoriteti gjyqësor.”

Agron Maxhuni, gjykatës mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë , tha se ndarja e pushteteve është e përcaktuar në Kushtetutën e vendit, e cila krijon pavarësi të plotë karshi vendimeve të saj. Ai tha se kjo pavarësi është jetike për një vend demokratik dhe kontribuon në zhvillimin e shtetit. Për këtë, ai u shpreh se Këshilli Gjyqësor është duke marrë veprime të rëndësishme për të bërë reforma në sistemin gjyqësor, duke mos lejuar kështu edhe ndërhyrjet.

Ndërkaq, Agron Maxhuni, gjyqtari mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, tha se mund t’i përgjigjen këtyre deklaratave përmes performancës dhe veçanërisht trajtimit në kohë të këtyre rasteve për t’ua bërë me dije të gjithëve se sistemi i drejtësisë është objektiv, i paanshëm dhe efektiv. /EO

/Shqip.com