Lajme

Idrizi i kërkon ndihmë shefit të BE-së në Kosovë për rregullimin e ujërave të zeza në vlerë prej 32 milionë euro

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar komunën e Vushtrrisë ku është mirëpritur nga kryetari i kësaj komune Ferit Idrizi.

Idrizi tha, që në këtë takim ata kanë folur krizën ekonomike dhe mundësitë se si ajo të tejkalohet më lehtë, mbështetjen për bujqit dhe bashkëpunimin e Komunës me komunitetet joshumicë.

“Sot e kemi në vizitë ambasadorin e BE-së në Vushtrri, që është vizita e tij e parë. Diskutuam për ndikimin e krizës ekonomike, diskutuam për bujqësi, arsim, për bashkëpunimin me komunitetet joshumicë”. Ka thënë Idrizi.

Szunyog e Idrizi më pas kanë ecur këmbë deri te Kalaja në qendër të qytetit, të cilën e kanë vizituar dhe nga brenda.

Shukrane Begu, udhëheqëse e Muzeut, ka informuar zyrtarin e BE-së se Kalaja e Qytetit është ndër 31 monumentet e Vushtrrisë që janë në mbrojtje të përkohshme dhe të përhershme.

Ambasadori Tomas Szunyog tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i mbështesë bizneset kosovare në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit që Kosova ka me BE-në.

Gjithashtu, ai ka thënë se nuk janë të fokusuar vetëm në projekte publike por edhe më gjerë.

“Ne i kemi mbështetur disa projekte në komunën e Vushtrrisë. Nuk jemi të fokusuar vetëm në projekte publike, por edhe kemi pasur në të kaluarën fonde për mbështetje të bizneseve. Njëra nga to është që merret me bujqësi, me patate. Kemi disa fonde që i mbështesim kompanitë vendore, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit… Do ta vazhdojmë mbështetjen, kemi fonde edhe për vitin 2022″, ka thënë Szunyog.

Ndërsa, për bashkëpunimin rajonal ka thënë se është obligim i të gjitha shteteve dhe këtë aspekt Kosova duhet ta thellojë më shumë.

Më pas, Idrizi tha se i ka kërkuar ambasadorit Szunyog që në kuadër të projekteve të Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA), të ndihmojnë që Vushtrria të përfitojë në disa projekte që ka si Komunë, duke përmendur impiantin e ujërave të zeza.

“Nga ambasadori kërkova që projektet e IPA-s të na ndihmojë në projekte të mëdha që kemi, siç janë për pastrimin e ujërave të zeza dhe përmbylljen e kanalizimeve. Që këto të lidhen me impiantin për trajtimin e ujërave të zeza me një vlerë prej 32 milionë euro që do të ndërtohet në Mitrovicë. Ambasadori shprehu gatishmërinë të na ndihmojë për projektet me prioritet”, tha Idrizi.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog

Gjithashtu tha se udhëheqësia e re komunale është shumë e përkushtuar t’i subvencionojë bujqit, për çka e kemi rritur buxhetin 120 për qind me qëllim që bujqit t’ia dalin në këtë krizë.

Pas vizitës në Komunën e Vushtrrisë dhe në Kalanë e Qytetit, Szunyog dhe Idrizi vazhduan vizitën në fshatin Gojbulë, i cili është i banuar nga komuniteti serb, si dhe do ta përmbyllin vizitën në fshatin Maxhunaj te kompania “Berrykode”, e cila ka përfituar nga projekti i BE-së për kultivimin e boronicave.

Këtë vizitë Szunyog e ka bërë në kuadër të fushatës “Për ju, me ju”, e cila ka për qëllim promovimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian në Kosovë./Shqip.com