Lajme

Idrizi akuzon Tahirin për vendosjen e posterave nënçmues në Vushtrri

Ferit Idrizi dhe Xhafer Tahiri.

Në Vushtrri janë vendosur posterë me motive nënçmuese mbi fotografinë e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ferit Idrizi, për kryetar të kësaj komune.

Lidhur me këtë ka reaguar vetë Idrizi, i cili ka fajësuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherësh kryetarin aktual, Xhafer Tahirin.

Idrizi është shprehur i bindur se prapa këtij veprimi është Tahiri dhe mbështetësit e tij, pasi “këtë gjuhë të urrejtjes ka përdorur gjatë gjithë fushatës”.

“Këta postera janë të fushatës raciste të Xhafer Tahirit. Kjo asnjëherë më parë nuk ka qenë pjesë e kulturës dhe e edukatës sonë qytetare, por as e politikës së mirë”.

“Këto etiketime të ulëta nuk do t’i shërbejnë në asnjë formë z. Tahirit, sepse me këtë veprim po shpërfaq urrejtje patologjike ndaj kundërkandidatëve të tjerë në Vushtrri dhe ndaj kolegëve tanë në Mitrovicë e në Skenderaj, të cilët populli i ka zgjedhur qysh në raundin e parë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, Tahiri do të mbahet mend për “tendencën e tij për ta instaluar gjuhën e urrejtjes, e cila nuk është përkrahur as nuk do të përkrahet kurrë nga vushtrriasit”.

“Krejt çka mund të bëjë ai është kjo, ngase zgjedhjet tashmë i ka humbur. Z. Tahiri nuk duhet të fshihet pas këtyre vandalizmave politikë, ai duhet t’i përgjigjet ftesës sime për debat në sheshin kryesor të qytetit”.

Në fund, ka thënë se vushtrriasit meritojnë të dinë drejt për programet e PDK-së dhe për “aferat korruptive” të Tahirit, të vartësve dhe të familjarëve të tij.

“Qeverisja e mirë po rikthehet, fitorja është vetëm disa ditë larg!”.

Idrizi dhe Tahiri janë në garë për të udhëhequr me komunën e Vushtrrisë në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të zhvillohet me 14 nëntor.

Në raudin e parë të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, Idrizi ka marrë 34.89 për qind të votave, ndërsa Tahiri ka marrë 33.77 për qind të votave. /SHQIP.com