Lajme

“Ideja e Bashkimit Kombëtar vuan nga dy plagë”

Flamuri Kombëtar

Profesori i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi, ka thënë se ideja e Bashkimit Kombëtar vuan nga dy plagë të mëdha; një e brendshme e tjetra e jashtme.

Si të jashtme e përmendi propagandën e Serbisë për ta paraqitur këtë ide si “shoviniste” dhe “destabilizuese për rajonin”.

Ndërkaq, si plagë të brendshme e theksoi përdorimin e kësaj ideje për “gara politike”.

“Edhe sot vazhdon vazhdon e njëjta gjë: fqinjët e përdorin këtë ide për të penguar fuqizimin kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, e ne si mjet propagandistik për t’ia rrëmbyer pushtetin njëri-tjetrit në mahallat tona politike. A ka shërim për këto dy plagë?”.

“Me elitat politike e kulturore që kemi, vështirë të thuhet po”, përgjigjet Latifi në pyetjen e vetë parashtruar.

Lista Serbe kritikon Kurtin për deklaratën rreth Bashkimit Kombëtar.

Lista Serbe e ka kundërshtuar deklaratën e dhënë nga kryeministri i Kosovës për “Monocole”, ku Albin Kurti thotë se “do të votonte për bashkim me Shqipërinë në rast të një referendumi demokratik”.

Në anë të një kumtese, ky subjekt politik që ka 10 ulëse dhe 10 komuna në qeverisje brenda Kosovës, deklaron se Kurti po e kundërshton Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si “bashkësi monoetnike”, dhe tash gjithmonë sipas kësaj partie “është i njëjti Kurti që dëshiron bashkim monoetnik”.

Partia e drejtuar nga Goran Rakiq kërkon nga Bashkimi Evropian të reagojë ndaj këtyre deklaratave të kreut të ekzekutivit kosovar.

“Ne pyesim veten se çfarë tjetër duhet të ndodhë që Bashkimi Evropian, por edhe vendet e shquara të Evropës Perëndimore, të reagojnë ndaj deklaratave të tilla anti-evropiane që rrezikojnë drejtpërdrejt paqen dhe qetësinë e qytetarëve”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Lista Serbe”, thuhet ndër tjerash në reagim.

Çfarë ka deklaruar Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Albin Kurti – kryeministër i Kosovës, ka thënë se nëse do të prezantohej ndonjë referendum në formë demokratike për bashkim me Shqipërinë atëherë do ta votonte atë.

Ka theksuar se është votuar nga qytetarët për të hapur vende të reja pune e ta luftojë korrupsion.

Këto thotë janë prioritetet e qeverisjes së tij gjatë këtij mandati, pa përjashtuar bashkimin me Shqipërinë, por më vonë – jo tash menjëherë.

“Por në të ardhmen nuk do ta përjashtoja, sidoqoftë për stabilitet në rajon më e mira do të ishte nëse gjashtë vendet e Ballkanit të hynin në BE”, ka deklaruar Kurti.

Ai gjithashtu tha se më 17 shkurt 2008, Kosova nuk e shpalli shtetin kundër Shqipërisë, por ndaj Serbisë.

Duke përmendur atë që Kosova dhe Shqipëria i përkasin një kombi.

“Mendoj se në të ardhmen nëse do të prezantohej si një referendum demokratik, që do të kryej në sjellje paqësore, unë do të votoja për po, por e përsëris vetëm nëse bëhet në formë demokratike”.

Albin Kurti dhe Bashkimi Kombëtar.

Albin Kurti gjatë kohës sa ishte opozitë

Në fillet e tij opozitare, Albin Kurti e kishte në epiqendër të diskursit bashkimin me Shqipërinë.

Ai akuzonte politikanët se po e largojnë Kosovën nga Tirana.

Mbi këtë pretendim, Kurti për një kohë të gjatë e kishte injoruar flamurin e Kosovës.

Tash thotë se e respekton brenda institucioneve, mbase në shumë tubime partiake shihet veç flamuri kuq e zi.

Opozita në vend e akuzon atë për “ndryshim qëndrimesh”, pasi e mori pushtetin.

Por, kreu i ekzekutivit pretendon nuk ka hequr dorë nga ideja, duke aluduar se prioritet është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. /Shqip.com