Ibrahimi: Niveli qendror t’i mbajë larg duart nga autonomia lokale, shqetësuese ndërhyrja e MAPL-së
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se është shqetësuese ndërhyrja e nivelit qendror në punët e nivelit lokal.
Ibrahimi ka thënë se Kuvendi komunal ka kompetencë ekzekutive për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, ndërsa kryetari i Komunës mundet vetëm të nisë procedurat përkatëse.
Për pronat komunale, Ibrahimi thotë se MAPL mundet vetëm t’i shqyrtojë vendimet por jo të ndërhyjë në to. Për këtë, Ibrahimi kërkon me ngulm që niveli qendror t’i mbajë duart larg vendimeve të komunave.
“Kompetencë ekskluzive e komunave është për t’ia dhënë pronën e vetë në shfrytëzim një operatori ekonomik. Gjithashtu, ligji për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, neni 6, e saktëson se në çfarë mënyre dhe kohëzgjatjen e dhënies së pronës komunale në shfrytëzim. Duhet theksuar që çdo pronë komunale jepet me pëlqimin apo vendimin e anëtarëve të kuvendeve komunale”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu është shprehur se sa i përket pronave komunale, MAPL nuk ka të drejtë të ndërhyjë në vendime të komunave.
“Është aty kohëzgjatja se për çfarë kohe duhet të kthehet vendimi nga niveli qendror, në shumicën e rasteve kryetarët e komunave ankohen që niveli qendror nuk i kthen në afatin ligjor vendimet të cilat duhet të shqyrtohen nga ministritë apo dikasteret e ndryshme kundruall nivelit lokal. Te çështja e pronës komunale, me ligjin mbi dhënien e pronës komunale është në mënyrë decidive e saktësuar që ligjshmërinë e vendimit e shqyrton Ministria e Pushtetit Lokal por jo të ndërhyj në vendim”.
Ai ndër të tjera ka thënë se në muajt e fundit jemi dëshmitar të kohës që po ka kësi lloj shkresash, kërkesash nga niveli qendror e të cilat kërkesa, shkresa në rastin e fundit Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar që janë shkelje në autonominë lokale apo shkelje në kompetencat e komunave.
Ibrahimi tutje ka thënë se tejkalim i kompetencave nga niveli qendror kundruall nivelit lokal, dhe sipas Asociacioni i Komunave të Kosovës, gjithnjë ka qenë i hapur për bashkëpunim të ndërsjellë në mes të nivelit qendror dhe nivelit lokal në mënyrë që qytetarët të përfitojnë.