Sport Shqiptar

“I ofruam gjithçka, por ai vendosi të luajë për Shqipërinë”, trajneri i Maqedonisë së Veriut zbulon prapaskenat me Jasir Asanin

Shqiptari nga Shkupi, Jasir Asani, gjeti rrugën e rrjetës mbrëmjen e djeshme, me fanellën e Kombëtres shqiptare, në duelin ndaj Moldavisë, teksa në minutën e 51-të, realizoi një supergol, duke çuar peshë zemrat e tifozëve kuqezinj.

Në sezonin 2014-2015, Asani, ishte pjesë e përfaqësueses U-21 të Maqedonisë së Veriut, por zemra e tij ka rrahur gjithmonë për Kombëtaren shqiptare.

Kjo gjë u pohua edhe nga trajneri aktual i Maqedonisë së Veriut, Blagoja Milevski, i cili në të kaluarën ka qenë tekniku i Asanit te përfaqësuesja U-21 e Maqedonisë.

Në konferencën për shtyp të zhvilluar ditën e sotme në Mançester, në prag të duelit ndaj Anglisë, Milevski, u pyet për Jasir Asanin, teksa zbuloi se maqedonasit i kanë ofruar gjithçka për të përfaqësuar kombëtaren e tyre, por në fund ishte Asani që vendosi të luajë për Shqipërinë. 

“Është vendim  i lojtarëve për të zgjedhur se me cilën përfaqësuese duan të luajnë. Nuk është kontestuese se Jasir Asani ka pasur gjithmonë kualitet për të luajtur, i ofruam gjithçka për të luajtur për Maqedoninë. Ka luajtur për U21 të Maqedonisë, por për më tej ishte vendim i tij. 

Jasiri i dëshiroj çdo të mirë dhe shumë suksese në lojërat e përfaqësueses që ai e ka zgjedhur”, tha Milevski gjatë konferencës për shtyp. 

/Shqip.com