Lajme

I nominuari i SHBA-së për ambasador në Kosovë po cilësohet emërim i përshtatshëm

Jeff Hovenier - I nominuari i Presidentit Joe Biden për ambasador në Kosovë

Diplomati amerikan i cili pritet të jetë ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M.Hovenier, është mirëpritur në këtë pozitë dhe po vlerësohet njohës i mirë i Kosovës, transmeton Shqip.com

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, thotë se Hovenier është një emërim i përshtatshëm.

“Më duket një emërim krejtësisht i përshtatshëm i dikujt me sfond përkatës dhe reputacion të mirë profesional”, ka thënë ai për ‘Kohën’.

Mirëseardhje në Kosovë diplomatit amerikan i ka uruar ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, e cila tha se ai ishte aktivisht i përfshirë në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë në kohën kur ndërmjetësonte presidenti finlandez, Martti Ahtisaari.

“Jeffrey M. Hovenier është diplomat i karrierës dhe ka qenë aktivisht i përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e presidentit Ahtisaari!”, ka thënë ajo në rrjete sociale.

Hovenier është nominuar nga presidenti amerikan, Joe biden, si pasuesi i ambasadorit aktual të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, derisa atij duhet t’i konfirmohet nominimi nga Senati amerikan, në mënyrë që të emërohet në këtë pozitë.

Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Lidhjen e ngushtë me Kosovën, Hovenier e kishte konfirmuar në vitin 2018, kur ishte dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur ai. /Shqip.com