Lajme

I ndërprehet marrëdhënia e punës edukatores që ushtroi dhunë ndaj fëmijes në kopshtin “Nina”

Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar lidhur me dhunën që është raportuar ndaj një fëmijë në Kopshtin dhe Çerdhën “Nina” në Mitrovicë.

Nagavci thotë se pas pranimit të informatës, Inspektorati i Arsimit ka inspektuar këtë institucion parashkollor dhe edukatores në fjalë iu është ndërpre marrëdhënia e punës.

“Dhuna është e patolerueshme dhe e dënueshme. Me keqardhje kemi pranuar lajmin për rastin e ndodhur në një Kopsht privat në Mitrovicë, për dhunën e ushtruar ndaj një fëmije nga një edukatore e këtij kopshti. Menjëherë pas pranimit të informatës, Inspektorati i Arsimit e ka inspektuar këtë institucion parashkollor dhe është informuar se edukatores në fjalë i është ndërprerë marrëdhënia e punës”, shkroi Nagavci.

Nagavci thotë se rasti është denoncuar edhe nga organet e hetuesisë.

“Sipas legjislacionit në fuqi dhuna është e dënueshme dhe rasti tashmë është denoncuar edhe në organet e hetuesisë.  Uroj që ky të jetë rasti i fundit i ngjashëm në cilindo institucion edukativo-arsimor dhe përgjithësisht i dhunës ndaj fëmijëve”.

Tutje, Nagavci tha se si ministre e Arsimit zotohem se do të jemi të pakompromis ndaj çfarëdo forme të dhunës ndaj fëmijëve.

/Shqip.com