Lajme

I arrestuari nga RENEA, krahu i djathtë i Eljon Hatos, miku i Ervis Martinajt

Forcat speciale RENEA bazuar në informacionet e policisë lokale, arrestuan në Shkodër të shumëkërkuarin, Shkëlzen Xhenje.

Xhenje është shpallur në kërkim nga SPAK në dosjen “Metamorfoza” dhe konsiderohet si krahu i djathtë i Eljon Hatos.

Sipas policisë, 32-vjeçari rezulton i përfshirë në veprimtari kriminale pasi në vitin 2021 ka qëlluar me armë zjarri ndaj dy personave në Shkodër.

Po ashtu ai ka futur sende të palejuar në Burgun e Shënkollit në Lezhë.

Njoftimi i Policisë

“Shkodër/Aksione intensive gjurmuese, për të lokalizuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të kërkuarit për ngjarje kriminale të mëparshme. Finalizohet operacioni policor i koduar “Historiku”.

Reparti Special “RENEA”, në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës, lokalizojnë, kapin dhe arrestojnë një shtetas me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore. 32-vjeçari i ndaluar, me precedent tejet të theksuar kriminal, •i kërkuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”; •qëlloi me armë zjarri 2 shtetas, në Shkodër, në vitin 2021; •futi sende të kundërligjshme në IEVP Shënkoll.

Falë hartimit të detajuar të veprimeve operacionale, konspiracionit të plotë, koordinimit të shërbimeve dhe punës intensive të inteligjencës policore, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, të mbështetura nga ato të Repartit Special “RENEA”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor i koduar “Historiku”. Operacioni rezultoi me lokalizimin në banesën ku fshihej, në fshatin Kuç, kapjen dhe neutralizimin e shtetasit të shpallur në kërkim Sh. Xh., 32 vjeç.

32-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, për shkak të akuzave/dënimeve për një shumëllojshmëri veprash penale.

Konkretisht, i akuzuar nga SPAK-u, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, i shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës, pasi në vitin 2021, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, qëlloi me armë zjarri, shtetasit T. P. dhe K. M., si dhe i dënuar me 2 vjet burgim, nga Gjykata e Lezhës, për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Lexo edhe:
E kapi RENEA në Shkodër, kush është Shkëlzen Xhenje dhe rekordet kriminale

/Shqip.com