Lajme

Hyseni pas humbjes në Podujevë: Do të rikthehem më i fuqishëm

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni

“Ju premtoi të gjithëve që më kanë mbështetur se nuk do t’u braktis, por do të rikthehemi edhe më të fuqishëm”.

Kështu ka deklaruar kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, pas humbjes së zgjedhjeve në këtë komunë.

Përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar qytetarët që kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor, teksa ka thënë se do të vazhdojë të ju shërbejë.

“Unë ju kam shërbyer për vite me radhë në forma të ndryshme dhe bashkë kemi fituar shumë beteja, por këtë nuk arritëm”, ka shkruar Hyseni.

“Pavarësisht kësaj, unë do të vazhdoi të jem pranë jush. Do të vazhdoi t’u shërbej, sepse kjo është në natyrën time”.

Podujeva edhe për një mandat do të udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Bulliqi ka marrë 51,84 për qind të votave, duke lënë pas Ekrem Hysenin e LDK-së me 48,16 për qind./SHQIP.com