Lajme

Hyjnë ilegalisht në Kosovë me një makinë me targa ruse, arrestohen dy shtetas francez

Dy persona me shtetësi franceze janë dërguar në mbajtje për shkak se nga pika kufitare në Leposaviç kanë hyrë ilegalisht në Kosovë.

Sipas njoftimit të Policisë kufitare të Kosovës, thuhet së është ndaluar vetura e të arrestuarave e cila ka qenë me targa ruse.

“Në fshatin Jashanicë, Komuna e Leposaviçit,, Njësitet Policore Kufitare-DRK-Veri, kanë ndaluar automjetin Land Rover, ngjyrë e bardhë, me targa të huaja (ruse), në të cilin gjendeshin dy persona meshkuj, B.G. (1954) dhe A.F. (1986), me shtetësi franceze, të cilët kishin hyrë nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës duke kaluar në mënyrë ilegale vijën kufitare”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Dyshohet se personat në fjalë kishin përdorur rrugët ilegale dhe kanë hyrë në Kosovë duke kryer edhe veprën penale “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare”

Për rastin është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka autorizuar inicimin e rastit dhe me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Sipas PK-së, njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke e trajtuar dhe hetuar rastin./Shqip.com