Lajme Botë

Hungaria pret zhbllokimin e fondeve të pezulluara të BE-së

Hungaria pret që muajin e ardhshëm Brukseli të heqë embargon ndaj fondeve të ngrira për rimëkëmbje nga COVID-i dhe pret që t’ia dorëzojë ato më 2023, nëse plotësohen kushtet, kështu deklaroi më 29 kryenegociatori i Budapestit me Bashkimin Evropian, Tibor Navracsics, raporton REL.

Zyrtarët e Komisionit Evropian deklaruan javën e kaluar se blloku ende nuk e pranon se Hungaria ka bërë përparim të mjaftueshëm në reformat kundër korrupsionit dhe ato në fushën e gjyqësorit që të hiqet pezullimi i fondeve.

Pozicioni zyrtar i bllokut për zhbllokimin e fondeve pritet të bëhen publik të mërkurën, ndërkaq vendimi përfundimtar do të merret nga ministrat e Financës dhe Ekonomisë, të cilët do të takohen muajin e ardhshëm.

“Ne po presim dritën e gjelbër nga Komisioni se ne kemi përfunduar negociatat… në dhjetor”, tha Navracsics për gazetarët në Budapest, shkruan tutje REL.

“Skenari realist” është që blloku do të miratojë me kusht planin e rimëkëmbjes së Hungarisë pas pandemisë në vlerë prej 5.8 miliardë eurosh”, tha Navracsics.

Ai tha se beson që blloku do të vazhdojë pezullimin e fondeve prej 7.5 miliardë eurosh, derisa Budapesti të plotësojë të gjitha kushtet.

Hungaria po shpreson që “vitin e ardhshëm, të gjitha fondet e pezulluara të BE-së të jenë në dispozicionin tonë”, ka thënë ai.

Brukseli vazhdimisht është përplasur me kryeministrin e krahut të djathtë të Hungarisë, Viktor Orban, dhe me Qeverinë e tij, pasi blloku argumenton se autoritetet hungareze po përbuzin demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Budapesti shpesh kritikon Brukselin, përfshirë edhe sanksionet që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

/Shqip.com