Lajme

Hulumtimi tregon se është rritur numri i qytetarëve të Serbisë që mbështesin pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndonëse më shumë se gjysma e qytetarëve të Serbisë nuk do ta mbështesnin pavarësinë e Kosovës, edhe sikur ajo të garantonte jetë më të mirë për ta, numri i atyre që mbështesin një Kosovë të pavarur është rritur për 5.3 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Kjo u bë e ditur nga Instituti i Beogradit për Çështje Evropiane, i cili ka bërë një hulumtim të opinionit publik në Serbi.

Hulumtimi është bërë me 1.228 persona dhe është publikuar më 17 gusht.

Në pyetjen “A do ta mbështesnit një plan të presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili do ta njihte pavarësinë e Kosovës, dhe do të siguronte një shtet të qëndrueshëm dhe standard më të mirë për qytetarët e Serbisë?”, në vitin 2021 për “PO” kanë qenë 21 %, derisa në vitin 2022 kjo përqindje ka shkuar në 26.3, duke shënuar një rritje prej 5.3 %.

Ndërkohë është rritur edhe përqindja e serbëve të cilët mendojnë se Serbia e ka humbur Kosovën./SHQIP.com