Lajme

HRW: Rusia kishte një “qendër të torturës” dhe kreu krime lufte në Herson

Forcat ruse që pushtuan qytetin jugor ukrainas të Hersonit dhe e patën nën kontroll nga marsi deri në nëntor të vitit 2022, udhëhoqën një “qendër të torturës” dhe ndërtesa të ngjashme ku ndaloheshin paligjshëm dhe torturoheshin civilë ukrainas, u tha në raportin e publikuar më 13 prill nga Human Rights Watch (HRW).

Kjo organizatë për të drejtat e njeriut tha se qendra e supozuar e torturës gjendej në rrugën Teploenerhetikiv. Ndërkaq qendrat e tjera të ndalimit pretendohet se gjendeshin në ndërtesën e komunës, në një shkollë lokale dhe në hangarin e një aeroporti.

Sipas viktimave, që janë intervistuar nga HRW, forcat pushtuese kanë rrahur të burgosurit, i kanë torturuar me elektroshok, i kanë detyruar që të qëndrojnë në pozicione që iu shkaktonin dhimbje si dhe i kanë kërcënuar me vdekje dhe gjymtim.

“Përgjegjësit për këto veprime të tmerrshme nuk duhet të mos ndëshkohen”, tha hulumtuesja e lartë për Ukrianën në HRW, Yulia Gorbunova.

Ajo shtoi se “viktimat dhe familjet e tyre duhet të marrin dëmshpërblim për vuajtjet e tyre, por edhe të marrin informacione për personat që ende janë të zhdukur”.

Moska nuk ka reaguar menjëherë për këtë raport të HRW, por në të kaluarën ka deklaruar se forcat e saj në Ukrainë nuk kanë kryer krime lufte dhe se nuk kanë shënjestruar civilët.

Organizata HRW ka intervistuar 34 banorë lokalë lidhur me abuzimet e pretenduara të civilëve, pasi paraprakisht kishte lëshuar një raport të ngjashëm në korrik të vitit 2022.

Të intervistuarit thanë se civilët ishin rrëmbyer nën dyshimet se po ofronin apo po shprehnin mbështetje për ushtrinë apo Qeverinë ukrainase, dhe se po luftonin kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në disa pjesë në lindje të Ukrainës.

Një grua raportohet se është mbajtur peng derisa burri i saj, që ishte në arrati, u vetëdorëzua.

Forcat ruse po ashtu pretendohet se kanë ndaluar të paktën tre civilë, kur ata po tërhiqeshin nga zona në nëntor të vitit 2022, në kohën kur Ukraina po zhvillonte një kundërofensivë.

“Trajtimi i të gjithë shtetasve ukrainas në zonat e pushtuara u përkeqësua jashtëzakonisht shumë”, tha Gorbunova.

HRW tha se shumë prej akteve, që pretendohet se janë kryer, përbëjnë krime lufte. Në raport u theksua se “të gjitha palët në konfliktin e armatosur në Ukrainë janë të obliguara që t’i përmbahen ligjit ndërkombëtar humanitar”, përfshirë edhe Konventat e Gjenevës.

Më 4 prill, Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së votoi për zgjatjen dhe zgjerimin e mandatit të një trupi hetues, që po heton krimet e luftës që mund të jenë kryer në Ukrainë.

/Shqip.com