Lajme

Hoxhaj tregon se cila duhet të jetë strategjia për politikën e jashtme

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka treguar se cila duhet të jetë strategjia për politikën e jashtme.

Në një intervistë për EO, Hoxhaj ka thënë së Qeveria Kurti nuk ka treguar plan, vullnet dhe ambicie për të bërë plan në politikën e jashtme.

“Qeveria Kurti prej ditës kur është votuar, ka treguar që nuk ka plan, nuk ka vullnet dhe ambicie për të bërë ndonjë punë në politikën e jashtme, dhe njohjet nuk kanë qenë prioritet, se unë jam i sigurt që edhe në kontekstin e ndryshuar ndërkombëtar, nuk do të ishte e mundur të sigurohen 10 deri 15 njohje në vit, sesa kam siguruar unë kur kam qenë ministër i Jashtëm falë punës së kolegëve në Qeveri, por jam i sigurt se vendi do të mund të merrte pesë deri në shtatë njohje çdo vit. Për të ndodhur një gjë e tillë, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të hartojë një strategji sikurse e kam bërë unë në vitin 2011, e cila do të duhej të përfshijë vendet të cilat janë afër njohjes së Kosovës, vendet të cilat kanë qëndrim neutral në raport me Pavarësinë e Kosovës, dhe vendet të cilat janë kundërshtare, dhe për secilin rast të bëhet një analizë e plotë se çfarë qëndrime kanë ata në janar të këtij viti e çfarë kanë pasur në të kaluarën”, tha Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, duhet të bëhet një dokument që duhet të përfshijë edhe veprimet që janë marrë nga Serbia në politikën e jashtme.

“Duhet ta bëjmë një dokument, i cili do duhej të përfshijë veprimet që i ka marrë Serbia gjatë këtyre viteve të fundit, cilat vende i kanë vizituar serbët, me cilët njerëz kanë biseduar, e kështu më radhë, dhe mandej të dilet me një analizë të plotë të të gjitha shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën, të shihet se cilat kanë qenë vizitat e fundit”, thotë Hoxhaj për krerët e shtetit, duke i kritikuar edhe për mungesë të vizitave të mirëfillta”.

Ndërsa, për vizitat e krerëve të shtetit jashtë vendit, Hoxhaj thotë se nuk janë të mirëfillta.

“Por këta rrinë në Prishtinë, zonja Osmani, kryeministri Kurti e zonja Gërvalla rrinë në Prishtinë, shkojnë herë pas here në ndonjë konferencë ndërkombëtare, flasin më shumë gjeopolitikë evropiane dhe për atë se çfarë po ndodh në Ukrainë dhe agresionin rus, sesa të marrin veprime konkrete që ta mbrojnë interesin vital të Kosovës në raport me fushatën e egër të cilën po e bën Serbia”, u shpreh Hoxhaj.

E me refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan, Hoxhaj thotë se Kosova humbi edhe disa përfitime të rëndësishme, të cilat do të forconin subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

“Unë jam marrë gjatë me politikë të jashtme, meqë së pari kam qenë pjesë e delegacionit të Kosovës, i cili në kuadër të procesit të Ahtisarit e ka negociuar Pavarësinë e Kosovës, dhe unë e di se çfarë qëndrime kanë pasur këto vende në raport me Kosovën para se të shpallej si shtet. E di edhe çfarë ka menduar Greqia, dhe sot kam komunikim me kryeministrin grek dhe me motrën e kryeministrit grek. Është mirë që Greqia i ka shpeshtuar vizitat në Kosovë, është mirë që bën përpjekje që t’i ndërlidh interesat e saj politik e ekonomik, por unë nuk mendoj Qeveria e Kosovës ka mundur të krijojë një momentum që vërtetë të merrej njohja greke, qoftë përmes gazsjellësit”.

Tutje Hoxhaj tha se projekti i gazsjellësit amerikan ka mundur që ta rreshtojë Greqinë që të jetë më e hapur për Kosovën.

/Shqip.com