Lajme

Hoxhaj: Qeveria Kurti nuk do marrëveshje me mësimdhënësit

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Arsimit e anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enever Hoxhaj ka hedhur edhe njëherë akuza ndaj Qeverisë për grevën në arsim.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Hoxhaj është shprehur se Kurti nuk do marrëveshje me mësimdhënësit.

“Me kokëfortësinë e tyre, Qeveria dhe Kryeministri Kurti nuk po ofrojnë një zgjidhje kalimtare, sepse, jo pse ndjekin një politikë të kursimit, por sepse kanë një politikë të nënshtrimit! Problemi me grevën nuk është çështje e kopracisë financiare, por e mendësisë autoritare. Një mendësi e tillë nuk e sheh dialogun me SBASHK-un si platformë për zgjidhje politike. Ajo nuk i beson kompromisit si mënyrë për të zgjidhur problemet në demokraci, por i beson politikës së nënshtrimit” ka shkruar Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtuar se është jetike për çdo nxënës dhe për gjithë Kosovën arritja e një marrëveshjeje mes Qeverisë dhe SBASHK-ut!

“Një humbje e madhe me pasoja shumëdimensionale për shoqërinë dhe performancën pedagogjike të nxënësve! Dhe krejt kjo për një arsye të vetme: mungesën e një vullneti politik qeveritar për të ofruar një zgjidhje për mësimdhënësit! Është jetike për çdo nxënës dhe për gjithë Kosovën arritja e një marrëveshjeje mes Qeverisë dhe SBASHK-ut”, ka thënë Hoxhaj.

Sot u bënë katër javë që kur 320 mijë nxënës dhe 23 mijë mësimdhënës kanë humbur 23 ditë mësimi nga 185 ditë të vitit shkollor! Deri më sot janë humbur mbi 2.100.000 orë pune për mësimdhënësit e orë mësimi për nxënës, ka shtuar më tutje Hoxhaj.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës në një debat parlamentar është diskutuar për grevën në procesin mësimorë./Shqip.com