Lajme

Hoxhaj: Paqja kërcënohet si pasojë e mospërmbylljes së plotë të konflikteve në rajon

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se paqja në rajon është duke u kërcënuar nga shovinizmi serb dhe politikës hegjemoniste.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se kërcënimi i paqes në Ballkan nuk është kthyer vetëm për shkak të luftës në Ukrainë por janë si pasojë e mospërmbylljës së plotë të konflikteve më rajon.

“Dilemat e sigurisë dhe kërcënimi i paqes në Ballkan, nuk janë rikthyer vetëm për shkak të luftës në Ukrainë, por janë pasojë e mospërmbylljes së plotë të konflikteve në rajon! Paqja po kërcënohet për shkak të shovenizmit serb dhe politikës hegjemoniste, sikurse tregojnë ngjarjet në veri të Kosovës, tensionet në Bosnje dhe ballafaqimi i ri me Kishën serbe në Mal të Zi”, shkroi Hoxhaj.

Tutje ai tha se anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës dhe Bosnjës në NATO janë gurthemele të evitimit të konfliktit në Ballkan.

“Përmbyllja e shtetësisë së Kosovës me anëtarësim në OKB, përshpejtimi i integrimit evropian të rajonit dhe anëtarësimi në NATO i Kosovës dhe Bosnjës janë gurthemele për evitimin e konfliktit në Ballkan”.

Lexo edhe:

Policia e Kosovës sulmohet me armë në Liqenin e Ujmanit

Kujtojmë se sot gjatë ditës së shtunë, Policia e Kosovës është sulmuar tek Liqeni i Ujmanit ku drejt tyre është shtënë dhjetë herë me armë zjarri.

Për këtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është hera e dytë brenda një jave që Policia e Kosovës po sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se kjo ndodhi vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës.

Kurti tha se rrugët sot janë pa barrikada por që bandat kriminale po vazhdojnë të barrikadojnë vetën kundër agjencive të Kosovës dhe zbatimit të ligjit. Lexo edhe:

Sveçla: Strukturat e caktuara serbe, po bëjnë përpjekje të na pengojnë të kryejmë detyrën tonë

Ndërsa, Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla ka thënë se struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit.

“Rreth 10 herë sot është shtënë drejt zyrtarëve të policisë kufitare derisa ata po kryenin detyrën e tyre zyrtare, kontrollën rutinore në Liqenin e Ujmanit. Grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tone”, ka thënë Sveçla.

Liqeni i Ujmanit
Lexo edhe:
Lista Serbe-serbëve në veri: Mos bini pre e provokimeve të Sveçlës dhe pushtetit nga Prishtina

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Lista Serbe, e cila ka apeluar tek qytetarët serb në veri të Kosovës, që të mos bien pre e provokimeve të Sveçlës dhe as pushtetit nga Prishtina, gjoja se këta të fundit po duan që t’i paraqesin serbët si djem të këqinj.

Tutje ata thonë se në mjediset serbe nuk ka tensione dhe konflikte si dhe me shqiptarët dhe komunitetet tjera serbët jetojnë në paqe.

Ndërsa, ata thonë se nuk i shkon Prishtinës që çdo ditë dërgon forca të armatosura të cilat ngacmojnë dhe shtypin qytetarët në veri.

Ata apelojnë tek serbët që ta ruajnë qetësinë në mënyrë që të mbijetojnë në këto zona./Shqip.com