Lajme

Hoxhaj nuk kandidon për kryetar të PDK-së

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj

Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, nuk do t’i hyjë garës së brendshme të partisë për kryetar, njofton Shqip.com.

Në një konferencë për media të mbajtur në selinë qendrore të partisë, Hoxhaj tha se nuk do të jetë kandidat për të drejtuar partinë më të madhe opozitare në vend.

“Unë nuk jam kandidat për kryetar të PDK-së. Nuk është Ikje nga përgjegjësia nga puna e nga përkushtimi. Vendimi im sot është në vijë me vendimet e mija që gjithmonë i kam marrë në PDK. Ky vendim është në të mirë të PDK-së”, ka thënë ai.

Hoxhaj shtoi se ky vendim nuk është marrë ad hoc, po është i menduar mirë nga ai.

“Vendimi nuk është ad hoc, është i menduar mirë nga ana ime. Çdo herë në politikë kam shërbyer një kauze më të madhe sikurse Kosovës edhe PDK-së”, shtoi Hoxhaj.

Deri më tani kandidaturën për kryetar të PDK-së e ka shpallur vetëm Memli Krasniqi. /Shqip.com