Lajme

Hoxhaj kërkon seancë të mbyllur me Kurtin

Kryeministri Albin Kurti dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj

Nënkryetari i Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, në interpelancën e sotme ku është i ftuar kryeministri Albin Kurti, ka thënë se është i zhgënjyer nga fjalimi i këtij të fundit.

Ai ka kërkuar që me kryeministrin Kurtin të mbahet një seancë e mbyllur lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit.

“Kam pasur pritje që kryeministri i Kosovës nuk e fillon fjalimin e tij duke na treguar se çka shkruan në komunikatën e Bashkimit Evropian, por na jep informatë të plotë për atë se çfarë ka ndodhur deri më tash në veri. Me më shumë dëshirë do të diskutoja në një seancë të mbyllur dhe të flasim shtruar e seriozisht për këtë temë”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka shtuar se situata në veri të vendit është në pikën më të ultë të politikës në Kosovë në 20 vjetët e fundit.

Sipas tij, situata në atë pjesë ka thënë se nuk është vakum, por humnerë politike.

“Është fillimi më i vështirë që ka pasur ndonjëherë Kosova në 20 vitet e fundit. Nuk është vetëm vakum, por humnerë politike ku komunat e Kosovës janë pa kryetar, stacionet e policisë janë pa policë, institucionet e drejtësisë janë pa prokuror dhe gjykatës.

Situata në veri nëse doni thoni është vrimë e zezë e nëse doni thoni është gropë e madhe politike se aktualisht nuk ka institucione shtetërore e as proces politik për t’i krijuar ato. Më vjen keq ta them se data e 5 nëntorit është ora më e keqe e historisë moderne të shtetit të Kosovës. Çka kemi ndërtuar nga viti 2008, është shembur atë natë”, ka thënë Enver Hoxhaj në interpelancën ku i thirrur është kryeministri Kurti.

/Shqip.com