Lajme

Hoti thotë se dialogu ka degraduar

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, Avdullah Hoti, thotë se procesi i dialogut ka degraduar, nga takimet e nivele të larta, tani në takimet në nivele teknike, njofton Shqip.com.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës tutje shtoi se si opozitë ata do ta përkrahin vetëm dialogun transparent dhe që çon në njohje nga Serbia.

“Dialogu nuk ka alternativë, për këtë pajtohemi të gjithë, përveç Serbisë. Dialogun e kthyem në binarë në vitin 2020. Sot i kërkoj BE-së dhe eurodeputetëve që dialogu të mbahet në ato binarë dhe të mos devijojë sepse do na kushtojë me shtyrje të procesit të integrimit evropian të të gjithë rajonit. Nëse devijon ky dialog në çështje teknike, detyrimisht një qeveri tjetër në Kosovë duhet të kthehet në kornizat e vitit 2020”, ka thënë ai.

“Nuk them se çështjet teknike nuk janë të rëndësishme, si marrëveshja për targat, njohja e diplomatave por diçka duhet të dimë se problemet me Serbinë derivojnë vetëm për shkak të mosnjohjes. Këtë po e them edhe si ish-kryeministër. Si opozitë e përkrahim vetëm dialogun me njohje. Më vjen keq ta shoh që dialogu ka degraduar. Një proces që ka degraduar nga takimet e niveleve të larta në takime për çështje teknike”, shtoi më tej Hoti.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, deklaroi se Serbia e ka keqpërdorur dialogun për të bërë propagandë.

“Çdo hap që bëhet më tutje drejt integrimit evropian, është një hap i rëndësishëm për Republikën tonë. Dialogu ka qenë proces për të zgjidhur problemet mes Kosovës dhe Serbisë. Më shumë se 10 vite më vonë, Serbia e ka keqpërdorur dialogun, pasi jo vetëm ka minuar mendimet e Gjykatës, por edhe e ka vonuar njohjen dhe është angazhuar fuqishëm për të propaganduar rreth Kosovës, që nuk është një vend i duhur për të investuar”, u shpreh Abazi. /Shqip.com