Lajme

Hoti: RTK-ja mund të falimentojë me shkurtimin e buxhetit

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se shkurtimi i buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës në rreth dy milionë euro, mund të çojë deri në falimentimin e mediumit publik, transmeton Shqip.com.

Kështu është shprehur ai në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere i cili ka miratuar në lexim të parë projektbuxhetin për vitin 2022 më shumicë votash gjatë mbledhjes të së mërkurës.

Hoti ngriti çështjen e shkurtimit të buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë, dhe ka pyetur ministrin Murati se a është buxhetuar Ligji për pagat.

“Tek pagat në sektorin publik, cili është projeksioni dhe kur pritni që të miratohet Ligji I pagave, edhe a është buxhetuar rritja e pagave që buron nga ky ligj… Tek ndërmarrjet publike ka pasur nga ana juaj akuza bukur të rënda vazhdimisht për rrjedhje financiare, tash i keni ndal ato rrjedhje apo? I keni ndërruar krejt bordet dhe tash i keni nën kontroll të plotë”, ka thënë Hoti.

“Tash kemi prapë një 12 milionë euro subvencione për NP-të. Jeni para për ndërmarrje publike… E keni shkurtuar buxhetin për RTK-në rreth 2 milionë euro. Cili është plan nga do të kompensohet këtë 2 milionë? Dhe nëse e zvogëlojmë këtë ne praktikisht e falimentojmë mediumin publik”, pyeti më tej ai.

Për këtë ai mori përgjigje nga ministri Murati, se nëse miratohet ky ligj do të mbulojnë me anë të mjeteve nga siç tha ai kontigjenca me 55 milionë euro.

“Sa i përket Ligjit të Pagave, është një kontigjencë që e parasheh, në rast se ka miratim të ligjeve të reja, që mund të kenë kosto buxhetore, kemi paraparë një kontigjencë. Sa i përket suprimimeve nëpër Ministri, por nëse thoni 56 milionë euro shkurtim në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, ju siguroj që është gabim, për shkak se diku 60 milionë euro është I tërë buxheti I Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Murati.

Derisa Murati për shkurtimin e buxhetit të RTK-së tha se rreth 100 punonjës në këtë medium publik marrin paga më shumë se paga e një ministri. Një buxhet i tillë për RTK, ai tha se është i mjaftueshëm.

“Ndoshta edhe e dini që në RTK janë rreth 100 paga të cilat janë më të larta se paga e një ministri. Kemi kursime rreth 2 milionë euro nga AKP nga ulja e pagave, që e kemi shfrytëzuar për rekrutime në FSK nga AKP. E njëjta gjë mund të bëhet edhe nga RTK. Nëse RTK i ka 100 persona që marrin me shumë se paga e ministrit, kjo për mua nuk është në rregull. Konsideroj që një buxhet i tillë është më se i mjaftueshëm për RTK-në duke marrë parasysh nivelin e pagave që kemi në vend”, tha ai. /Shqip.com