Ekonomi

Hoti: Rritja ekonomike në 2023 pritet të jetë e njëjtë me atë të vitit të kaluar

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se parashikimi për vitin 2023 nuk është i mirë sa i përket rritjes ekonomike.

Sipas tij, rritja ekonomike pritet të jetë pothuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar.

“Në vitin 2023, rritja ekonomike pritet të jetë rreth 3.7 për qind, që është pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2022. Shpresa këtu mbetet tek stabilizimi i çmimeve në tregje ndërkombëtare. Nuk shihet në horizont ndonjë politikë ekonomike që mund të krijojë ndonjë moment të ri për t’i dhënë shtytje zhvillimit dhe punësimit në vitin 2023 dhe 2024”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai tha se rritja ekonomike në vitin 2022 prej 3.5 përqind erdhi nga rritja e konsumit privat dhe eksporteve, e jo nga investimet publike apo private.

“Në fakt, më 2022 bruto investimet kapitale kanë rënë për -6.9 përqind dhe konsumi qeveritar ra për -0.8 përqind, duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike”, tha Hoti tutje.

Hoti shtoi se situata nuk u menaxhua si duhet nga Qeveria pasi ngarkesat tatimore mbetën të pandryshuara.

“Qeveria nuk e uli as TVSH-në Nga 18% në 8% për disa artikuj ushqimor shtesë, edhe pse këtë ia mundësonte ligjin për TVSH-në. Si rezultat, Qeveria mblodhi qindra miliona euro TVSH nga rritja e çmimeve të naftës, energjisë dhe ushqimeve. Për pasojë, bilanci bankar i Qeverisë gjatë vitit 2022 ishte tepër i lartë. Pasi ato mjete nuk u shpenzuan në investime kapitale, ato u zhvlerësuan nga inflacioni”, thuhet tutje në postimin e tij.

/Shqip.com