Lajme

Hoti: Qeveria Kurti brenda tre muajve e ka kapur shtetin 10-fish më shumë se qeveritë e kaluara

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti Kurti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se Qeveria me në krye Albin Kurtin, e ka kapur shtetin brenda tre muajve – më shumë se që kanë bërë të gjitha qeveritë e kaluara ndër vite, njofton Shqip.com

Kështu është shprehur ai në një intervistë për “Rubikon” të Klan Kosovës, ku tha se kjo qeveri po ndërhynë në punën e institucioneve të pavarura dhe po tregon se ka nepotizëm – çështje për të cilat qeveria e tashme për vite të tëra ka kritikuar ekzekutivet paraprake.

“Për vite të tëra kanë kritikuar qeveritë paraprake, nuk po them që qeveritë paraprake nuk kanë pasur lëshime në këtë drejtim për punësime partiake, për nepotizëm, për ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura, por lëshimet që qeveritë paraprake i kanë bërë për vite të tëra ose futja e duarve në institucione të ndryshme qeveritare që ka ndodhë për vite në qeveri të ndryshme, këta (Qeveria Kurti) i kanë bërë për tre muaj”, ka thënë ai.

Sipas Hotit, kapja e institucioneve nga kjo qeveri po vazhdon me intensitet 10-fish më të madh.

“Në masë të madhe i gjeni njerëzit që janë të lidhur drejtpërdrejt me politikën, kanë qenë në lista zgjedhore, ose janë të afërt me persona që e mbajnë pozita publike, pra është ndërtuar një kauzë e luftimit të nepotizmit dhe politizimit të institucioneve dhe këta e kanë bërë për tre muaj. Kapja po vazhdon me intensitet dhjetë fish më të madh, brenda tre muajve ka pasur instalim të njerëzve nëpër pozicione të caktuara që për vite të tëra qeveritë e kaluara nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë”, ka thënë ai. /Shqip.com