Lajme

Hoti: Projektligji për Zyrtarët Publik është kundër tyre

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Projektligji për Zyrtarët Publik në fakt është kundër tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se kjo mund të konkludohet edhe në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës e së enjtes.

“Projektligji PËR zyrtarët publik” është në fakt “Projektligj KUNDËR zyrtarëve publik”. Kështu mund të konkludohet nga përmbajtja e këtij projektligji, i cili mund të miratohet të enjten në Kuvend në seancën e orës 10. Ja disa argumente: Projektligji e dëmton parimin bazë të shërbimit civil të bazuar në merita, që është i aftë për të tërhequr dhe mbajtur profesionistët. Kjo për shkak se: (i) shtohet ndikimi politik në rekrutim, transferim dhe ngritje në detyrë, si dhe (ii) ndryshohet sistemi i karrierës përmes futjes së mandateve dhe rekrutimit të jashtëm për të gjitha pozitat drejtuese. Mandati katër vjeçar mund të përkojnë me mandatin e një qeverie, e cila gjë e lë administratën të cenueshme ndaj ndikimeve politike”, shkroi Hoti.

Hoti ka edhe argumente të tjera lidhur me konkludimet në fjalë.

“Një vit nga hyrja në fuqi e ligjit, drejtuesit me kontrata të përhershme i nënshtrohen konkursit. Kjo bie ndesh me parimin e “të drejtave ligjore të fituara”, siç përcaktohet me ligjin në fuqi dhe me praktikën gjyqësore ndërkombëtare të shërbimit civil, ku rregullat nuk duhet të ndryshohen në dëm të personelit në detyrë. Transferimi i përkohshëm i shërbyesit civil është në diskrecionin e drejtuesit të lartë të institucionit dhe mund të bëhet pa pëlqimin e zyrtarit. Kjo e hap mundësinë e keqpërdorimit të ligjit për interesa politike e personale dhe e rrit ekspozimin e shërbimit civil ndaj politikës”.

Krahas kësaj, Hoti thotë se procedurat disiplinore nuk kanë siguri dhe proporcionalitet, si dhe nuk dihet se si do të bëhet individualizimi i masave disiplinore për çdo shkelje. Ndërsa, ai thotë se Qeveria e Kosovës është e obliguar të koordinohet me BE-në në reformën e administratës publike, përfshirë projektligjin për zyrtarët publik dhe projektligjin për pagat.

/Shqip.com