Lajme

Hoti: Policia e Kosovës ka konfiskuar 1 mijë armë ilegale brenda një viti

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka mbajtur mbledhjen ku ka raportuar drejtori i Departamentit për Siguri Publike, Mensur Hoti.

Ndër temat e diskutimit ishin armët ilegale, sigurimi i kompanive private, grabitjet e vrasjet.

Deputeti Mefail Bajqinovci ka pyetur se sa është numri i personave që sot posedojnë armë me leje të UNMIK-ut dhe leje të Republikës së Kosovës që ende nuk i kanë përkthyer.

Hoti deklaroi se në Kosovë janë 37 mijë armë me leje. Kurse brenda vitit ata konfiskojnë rreth 1 mijë armë.  Deklaron se është i vogël numri i personave të cilët kanë përdorur armët me leje për qëllime kriminale.

“Secili qytetar që i plotëson kriteret mund të pajiset me armë. Janë rreth 20 mijë armë të tilla që poseduesit nuk u janë nënshtruar procedurat e ligjit të ri. Por është me rendësi që këto janë të regjistruara. Janë 37 mijë armë që qytetarët i kanë me leje sipas kërkesave me ligjin e ri. 1 mijë armë konfiskohen në vit. Numri i armëve me leje të përdorura në akte kriminale është jashtëzakonisht i vogël”, ka thënë Hoti.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka pyetur për rregulloren e brendshme, për strategjinë për terrorizëm për të cilën tha është bllokuar momentalisht.

“Po më intereson me qenë se ka një vit e gjysmë që strategjia kundër ekstremizmit të dhunshëm është e gatshme, pse të bëhet strategji e re”, pyeti Qalaj.

Hoti tha se rregullorja duhet të jetë në fazën e fundit të miratimit dhe se për këtë është grupi punues e ka vlerësuar se drafti duhet të ndryshohet ose të rishikohet.

“Ka pas një grup punues për vlerësimin e draftit i cili ka ardh në përfundim se drafti duhet të rishikohet ose ndryshohet. Personalisht pajtohem me këto ndryshime të brendshme në strategji. Kemi një grup punues. Sipas planit që kemi bërë është shtatori i këtij viti për ta paraqitur planin para e Qeverisë. Mungesa e strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm nuk është vërejt. Pajtohem me mendimin se strategjitë bashkohen”, tha ai. /Shqip.com