Ekonomi

Hoti: Po i ndjejmë pasojat e mungesës së bordit të Trustit

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ekonomia e Kosovës është duke e ndjerë mungesën e bordit të Trustit.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti thotë se rreth 2.5 miliardë rë kursimeve pensionale të investuara në tregjet financiare kanë mbetur në mëshirën e fatit.

“Trusti Pensional ka mbetur pa Bord nga data 1 mars 2023. Rreth 2.5 miliardë të kursimeve pensionale të investuara në tregje financiare janë në mëshirë të fatit. Pasojat tanimë po i bartim. Çmimi i njësisë së FKPK-së është në rënie nga 3 mars 2023 e këndej. Kjo po ndodh për shkak të disa sinjaleve për krizë të mundshme në tregjet financiare nga falimentimi i një banke në SHBA. Por, në mungesë të Bordit, nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve të Trustit Pensional nga tregjet financiare ku ka rënie”, shkroi Hoti.

Këtë gjendje, Hoti e quan papërgjegjësi.

“Kjo është papërgjegjësi. Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022, por është zgjatur edhe për tre muaj. Konkursi është shpallur para tre muajve më 02.12.2022, por deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Konkursi do të duhej të ishte shpallur disa muaj para se të mbaronte mandati i Bordit, në mënyrë që të kishte kohë të mjaftueshme për të zgjedhur Bordin e ri”.

Tutje, Hoti thotë se kursimet e mbledhur nga Trusit gjatë këtyre muajve nuk do të mund të investohen në tregjet financiare.

“Përveç kësaj, në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve nuk do të mund të investohen në tregje financiare”.

Krahas kësaj, ish-kryeministri tha se Qeveria e Kosovës si do të përgjigjet për këtë gjendje që është krijuar.

/Shqip.com