Lajme

Hoti për Qeverinë Kurti: 700 milionë euro në bankë, marrin kredi 47 milionë për ndihma sociale

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar deklaratën e ministrit të Financave, Hekuran Murati se Qeveria pret ratifikimin e kredisë prej 47 milionë eurove, për tu ndarë për skema sociale.

Hoti ka thënë se Qeveria po e bën këtë derisa në bankë i ka, siç tha ai “të palosura mbi 700 milionë euro”.

“I kanë palosur mbi 700 milionë euro në llogari bankare të Qeverisë.  E tash marrin kredi 47 milionë euro për ndihma sociale, prej të cilave 15 milionë janë për pagesat e bëra për ndihma sociale për janar, shkurt dhe mars 2021, kur ka qenë pandemia, të cilat pagesa po bëhen gati dy vite që janë kryer. Edhe kanë fytyrë të kërkojnë votat e opozitës për ratifikimin e kredisë në Kuvend”, deklaroi ai.

Deputeti i LDK-së po ashtu kritika pati edhe për investimet kapitale, për të cilat tha se qeveria i ka bllokuar ato në mbarë Kosovën.

“Ky është dështim total. Është dëm i madh për vendin çdo ditë që kjo klasë politike e paaftë dhe e mbrapshtë mbetet në qeverisje. Është e pafalshme të lejohet edhe më tutje kjo lloj qeverisjeje”, përfundon postimi i tij.

Ndryshe, Murati ka thënë se 25 mijë familje kanë marrë asistencën sociale të dyfishuar për muajin shtator, këtë javë që po lëmë pas.

Ai ka thënë se kjo ishte njëra nga masat e pakos për përballje me inflacionin, që sipas tij,  sadopak lehtëson barrën e atyre familjeve që më së shumti kanë nevojë për mbështetjen e shtetit.

“Mirëpo për të bërë zgjidhje afatgjatë për të rregulluar skemat sociale e pensionale, një reformë gjithëpërfshirëse është e domosdoshme.

Për këtë, na duhet miratimi në Kuvend i marrëveshjes së nënshkruar me Bankën Botërore, që parasheh reformimin e skemave sociale, dhe krijon regjistrin social e integron sistemet, gjë që hap rrugë edhe për reformën e sistemit pensional./SHQIP.com