Ekonomi

Hoti për Faton Pecin: Efektet e punës së tij janë zero

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rrural, Faton Pecin lidhur me punën e tij.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se rritja enorme e importit të produkteve bujqësore është shenjë se prodhimi vendor ka rënë.

“Që nga fundi i vitit 2021 e kam theksuar disa herë, se nëse nuk rritet menjëherë mbështetja për bujqit, rritja e konsiderueshme e çmimit të inputeve bujqësore (farëra, plehra, pesticide dhe ushqim të kafshëve) do të dëmtojë prodhimin vendor. Dje e kam përsëritur këtë shqetësim pasi çmimet e këtyre inputeve bujqësore po vazhdojnë të rriten.  Ministri i Bujqësisë, në vend se të sqaroj se çfarë po bën për të zbutur krizën për bujqit, kishte shkruar një pamflet me plot tallje e cinizëm. Faktet tregojnë se efektet e punës së tij janë zero”, shkroi Hoti.

Sipas Hotit, rritja enorme e importit është tepër e madhe pavarësisht rritjes së inflacionit.

“Kjo rritje është tepër e madhe pavarësisht rritjes së inflacionit. Nuk ka gjasa që në Kosovë më 2022 të jetë rritur kaq shumë konsumi i qumështit, grurit apo mishit. Kështu që, këto shifra tregojnë se ka rënë prodhimi vendor, dhe se konsumi është plotësuar nga rritja e importit”.

Hoti publikoi edhe disa të dhëna të importit nga Dogana e Kosovës duke thënë se në ditët e ardhshme do të publikohen edhe të tjera për të demaskuar mashtrimin dhe dështimin e qeverisë.

/Shqip.com