Lajme

Hoti: Numrat e lartë të infektimeve me COVID-19 pritet të jenë edhe për disa javë

Faik Hoti, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Numrat e lartë të infektimeve me variantin e ri të Coronavirusit, “Omicron”, pritet të jenë edhe gjatë disa javëve në vazhdim.

Kështu ka njoftuar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili thotë se kjo do të ndodh për shkak të përhapjes së shpejt të këtij varianti.

“Situata epidemiologjike është aktualisht brenda parashikimeve të bëra më herët. E kemi ditur që varianti Omicron do ta rrisë numrin e infektimeve. Por ne duhet t’iu kushtojmë rëndësi dy indikatorëve, numrit të hospitalizuarve dhe numrit të rasteve që përfundojnë me fatalitet.

Në dy indikatorët, ne e kemi situatën relativisht të mirë. Ditëve në vijim do të ketë shtim të rasteve, mirëpo nuk jemi në parametra që duhet të krijojmë panik. Duhet bëhet kujdes i shtuar, duhet të vaksinohemi”, thotë ai në KTV.

Por, Hoti thekson se masat e reja anti-COVID që do të miratohen të premten nga Qeveria, do të japin efektin pas një kohe.

Sipas tij, pas hyrjes në fuqi të këtyre masave, presin që situata me pandeminë të stabilizohet.

“Këto masa do të vlejnë deri më 4 shkurt, pastaj do të mblidhet Komiteti për të parë nëse ka nevojë për t’i shtrënguar apo liruar disa nga masat. Mbikëqyrja për zbatimin e këtyre masave duhet të jetë me e rreptë”, deklaroi Hoti.

Ndryshe, gjatë kësaj jave, është rritur numri i rasteve të reja me Coronavirus në vend, ku vetëm të premten janë regjistruar një vdekje dhe dy mijë e 943 infeksione të reja./SHQIP.com