Lajme

Hoti mund të dënohet deri në 5 vjet burgim për konflikt interesi

Selman Hoti

Anëtari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Selman Hoti, i cili është edhe pronar i kompanisë “Electra” – një nga kontraktorët e punimeve të KEDS-it që kontrollohen nga ZRRE-ja, mund të dënohet deri në pesë vjet burgim për veprën penale që po e kryen duke mbajtur dy pozita që shfaqin konflikt interesi.

Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në hulumtimin e publikuar nga Shqip.com në kuadër të emisionit investigativ “N’Shënjestër”, i cili më tej sqaroi se rasti i Hotit mund të trajtohet në dy fusha, në atë administrative dhe penale.

“Në këtë situatë varësisht nëse kemi të bëjmë me shkelje administrative që e ka kryesisht ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, apo kemi të bëjmë me sferë penale që hyn në kuadër të Kodit Penal të Kosovës, vepër penale sipas KP është e dënueshme deri në pesë vjet burgim, por që çdo situatë është individuale”, tha Miftaraj.

Sikur të mos ekzistonte Ligji nr.05L/084 për Rregullatorin e Energjisë, aktiviteti i Hotit nuk do të përbënte konflikt interesi.

Mirëpo, neni 6 i këtij ligji, saktësisht pika 3.4, tregon se anëtarëve të bordit iu ndalohet të kryejnë çfarëdo pune për ndonjë ndërmarrje të energjisë që i nënshtrohet këtij ligji.

Gjithashtu duke u bazuar në nenin 3 të Kodit të Etikës së ZRRE-së, asnjë anëtarë i stafit nuk duhet të ketë interes financiar të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ose të ushtrojë ndonjë kontroll menaxherial mbi operimet e ndonjë ndërmarrjeje të energjisë të rregulluara nga ZRRE-ja.

Bazuar në këtë, Miftaraj thotë se në momentin që zyrtari publik ka interesa financiar, nuk mund të ketë gjykim korrekt.

“Është pothuajse e pamundur për zyrtarët e lartë publikë të kenë gjykimtë drejtë në çdo moment kur gjatë ushtrimit të funksioneve publike ndërlidhen interesat e tij private”, thotë Miftaraj.

“Në aspektin penal, kjo ndodhë në qoftë se shihet qartazi se, si rezultat ipozitës që ka në ZRRE ka përfituar projekte, ka pasur përfitim privat, financiar,i cili pastaj sigurisht që do të duhej të hetohej nga ana e Prokurorisë”, shtoi drejtori i IKD-së.

Në anën tjetër, Hoti refuzon të flasë për rastin. Shkurt përmes telefonit, ai ka thënë për Shqip.com se ka të drejtë të jetë aksionar i kompanisë.

“Po po, jam, kam të drejtë edhe ligjërisht”, thotë ai, por nuk ka pranuar të komentojë nëse si aksionar duhet të ketë marrëveshje me KEDS, punimet e së cilës Hoti i vlerëson si anëtar bordi.

Përgjigje nuk ka dhënë as Drejtori i ZRRE-së, Petrit Pepaj, lidhur me faktin nëse ka qenë i njoftuar se Hoti ka konflikt interesi. Pepaj është arsyetuar se është në pushime, ndërsa nga KEDS insistuan që përgjigje të japin zyrtarët e ZRRE-së.

Dokumentarin e plotë mund ta ndiqni këtu: