Lajme

Hoti me propozim për Qeverinë Kurti: Vetëm kështu mund të luftohet inflacioni dhe varfëria

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pakoja për përballje me inflacionin është e vonuar dhe jo adekuate.

Sipas tij zgjidhja mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve për normën e inflacionit.

“Pakoja për përballje me inflacionin që u propozuar nga Qeveria, e cila parasheh mbështetje të njëhershme për familje, do të kishte kuptim në kohën e pandemisë, kur familjet kishin nevojë për mbështetje të njëhershme për të përballuar rënien e të ardhurave gjatë muajve të mbylljes totale”.

Tutje ai ka thënë se rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe për disa muaj.

“Me gjasë, pas një kohe çmimet do të stabilizohen në nivele të larta. Prandaj, rënia e fuqisë blerëse e të ardhurave të familjeve nuk është e përkohshme dhe, rrjedhimisht, nuk mund të zgjidhet me masa të njëhershme. Masat duhet të jenë sistematike dhe afatgjata.

Zgjidhje e qëndrueshme, edhe pse jo perfekte, mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve sipas normë së inflacionit. Vetëm kështu do të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave. Vetëm kështu parandalohet thellimi i varfërisë dhe rënia e cilësisë së jetesës”.

Ai ka thënë se kjo rritje nuk do ta ngarkonte buxhetin e vendit.

“Kjo zgjidhje do të ishte lehtësisht e realizueshme në sektorin publik. Për më tepër, kjo nuk do të ngarkonte shumë buxhetin e shtetit, pasi të hyrat tatimore janë rritur proporcionalisht me rritjen e inflacionit”.

Tutje Hoti, ka thënë se për sektorin privat do të duhej të rritej paga minimale me vendim të Qeverisë për tu reflektuar në rritjen e pagave të kategorive më të ndjeshme të punëtorëve që kanë paga të ulëta./SHQIP.com