Lajme

Hoti: Marrëveshja e Ohrit po reduktohet me themelimin e Asociacionit

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se marrëveshja e Ohrit po reduktohet në themelimin urgjent të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka disa fjalë edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“E gjithë Marrëveshja e Ohrit po reduktohet në themelimin urgjent të Asociacionit. Asgjë tjetër. Ai që e kishte kundërshtuar me dhunë këtë Asociacion, e që kishte marrë mbështetje qytetare për këtë kundërshtim, tani do ta zbatojë në praktikë. Pesë vendet mos-njohëse të BE-së nuk kanë ndryshuar qëndrim edhe pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit”, shkroi Hoti.

Ish-kryeministri thotë se dialog me njohje reciproke nuk ka askund.

“Në javën e ardhshme fillon dialogu në Bruksel për zbatim të marrëveshjes. Dialog për njohje reciproke nuk ka askund dhe nuk pritet të ketë.  Kemi hyrë në rrugën më të gjatë të mundshme për të arritur tek marrëveshja finale për njohje reciproke”.

Hoti thotë se qeveritarët kanë ‘betonuar’ një Status Quo të re.

“Derisa më herët dialogonim për marrëveshje finale për njohje reciproke, siç konfirmohej vazhdimisht nga letrat e vendeve mike drejtuar Kosovës dhe Serbisë, tani këta mashtrues e kanë betonuar një status quo të re. Një Zot e di kur do të mund ta thyejmë këtë status quo dhe ta përmbyllim marrëveshjen me njohje reciproke”.

Tutje, Hoti thotë se deri atëherë do të mbizotëroj paqartësia për investitorët e jashtëm, do të vazhdojnë të ikin kuadrot dhe rinia.

/Shqip.com