Lajme

Hoti: Krizë mbas krize deri tek rënja e Qeverisë

Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka rreshtuar krizat që sipas tij janë krijuar në Kosovë në sektore të ndryshme gjatë Qeverisë Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shkruar ‘krizë mbas krize deri tek rënja e Qeverisë.

Si krizë parësore ka listuar atë në arsim ku sipas tij nxënësit që një muaj janë duke qëndruar në shtëpi dhe Qeveria po bënë luftë me sindikatat.

“Një muaj nxënësit rrinë në shtëpi. Në vend që të dialogohet 24 orë deri të gjendet zgjidhja, qeveria bënë luftë me sindikata. Shtyhet ligji i pagave pa nevojë, por as nuk plotësohet kërkesa e sindikatave për 100 euro shtesë në muaj, edhe pse e realizueshme në aspektin buxhetor”, shkroi Hoti.

Sipas Hotit, ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi tashmë është ministër me ‘korrospodencë’, ndërsa politika e jashtme nuk ka sjellë asnjë zhvillim kohët e fundit.

“Ministri i Shëndetësisë është non-ekzistent, ai është ministër me korrespondencë. Si rezultat, Kryeministri merr përsipër detyrat e ministrit duke kryesuar vetë një komision qeveritar për shëndetësi. Asnjë njohje apo anëtarësim për një vit e gjysmë. Shumë ambasada, e në veçanti ato në vendet kryesore mike janë me mungesë të stafit esencial. Grevë e stafit të MPJ-së për shkak të trajtimit joadekuat. Gafa të vazhdueshme të ministres dhe mungesë elementare e njohurive në diplomaci”.

Ish-kryeministri potencon edhe krizën në ekonomi duke përmendur investimet e ulëta dhe inflacionin.

“Investimet e jashtme më të ulëta se në vitin 2019. Shpenzimet kapitale të qeverisë në nivelin më të ulët që ka qenë ndonjëherë me vetëm 9%. Papunësia mbetet aty ku ka qenë më 2019. Bilanci bankar i Qeverisë arrin në 600 milionë euro, me kosto të mëdha oportune për qytetarët dhe bizneset”.

Megjithatë për dialogun, Hoti ka thënë se përveç fjalëve absurd nuk ka ndonjë zhvillim tjetër në këtë aspekt.

“Përveç një togfjalëshi absurd se “njohja duhet të jetë në qendër”, (pse jo në lindje apo perëndim, në të djathë apo në të majtë, në fillim apo në fund?), që përsëritet pa pushim, tjetër parim të dialogut nuk ka. Askush nuk di se çfarë po bisedohet. I kanë sharë marrëveshjet e mëparshme, e tash ato dolën që janë të duhura për të vendosur sovranitetin shtetërorë në tërë territorin”.

Tutje, Hoti përfundon duke thënë se përkundër deklarimeve të forta të krerëve të shtetit po bëhen darkat e përbashkëta me palën tjetër./Shqip.com