Lajme

Hoti kritikon Qeverinë Kurti: Kërkuan traktate mos-sulmi në vend që të kërkojnë njohje reciproke

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka krituar Qeverinë e Albin Kurtit për qasjen e tyre karshi dialogut Kosovë – Serbi.

Hoti ka shkruar se Kosovës iu bë dëm i madh kur qeveria aktuale e braktisi dialogun për njohje reciproke, të cilin qeveria e ttij me ndihmën e partnerëve e kishte kornizuar shumë qartë.

“Samiti i Parisit (në korrik 2020), Marrëveshja e Uashingtonit (në shtator 2020) dhe shumë takime bilaterale me vendet e Quintit, e kornizuan qartësisht dialogun sa i përket qëllimit, përmbajtjes dhe kohës të arritjes së marrëveshjes finale, si dhe e detyruan Serbinë të nisë procesin e arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar ai.

Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se delegacioni i Kosovës ka kërkuar në Bruksel nënshkrim të traktateve të mos-sulmimit dhe zëvendësim të CEFTA-s në vend se të kërkojnë njohje reciproke.

“Fatkeqësisht, dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave, sado e rëndësishme që është kjo çështje. Në takimet e Komisionit për Stabilizim-Asociim, të mbajtura në Prishtinë në nëntor 2021 dhe në Bruksel në mars 2022, mazhoranca qeverisëse në Kosovë u zotua për zbatim të marrëveshjeve paraprake të dialogut, të cilat brenda Kosovës i kritikon dhe i kundërshton fuqishëm”, ka shkruar Hoti.

Hoti është shprehur se tani kur duhet marrë përgjegjësi shtetërore dhe duhet treguar seriozitet para partnerëve, nuk dinë çfarë të thonë./Shqip.com