Lajme

Hoti: Kosova po funksionon si pa zot shtëpie

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se mungesa e udhëheqësve në institucionet kyçe ka lënë pasoja për të gjithë.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se Kosova po funksionon si pa zot shpie.

“Mungesa e udhëheqësve të institucioneve kyçe me pasoja për të gjithë. Kosova po funksionon si pa zot shtëpie. Institucionet kyçe, në veçanti ato për çështje ekonomike dhe financiare, janë pa drejtues për shumë kohë. Nuk ka asnjë arsyetim për këtë situatë të krijuar. Pasojat po i bartim të gjithë pa përjashtim”, shkroi Hoti.

Hoti përmend edhe institucionet e Kosovës të cilat kanë mbetur pa udhëheqje.

“1. Kryeprokurori i Shtetit nuk është emëruar për më shumë se një vit. 2. Trusti Pensional nuk ka Bord. 3. BQK-ja mbetet pa Guvernator nga java e ardhshme. As zëvendësguvernator të zgjedhur nuk ka. Është një ushtrues detyre i Zëvendësguvernatorit, i cili do të bëhet ushtrues detyre i Guvernatorit.  4. Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka drejtor të zgjedhur. 5. Njësia për Inteligjencë Financiare nuk ka drejtor për më shumë se një vit. 6. Komisioni për Ndihmë Shtetërore nuk është emëruar për më shumë se një vit”.

Madje, Hoti ironizon edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Ndoshta nuk kemi nevojë më për drejtues të këtyre institucioneve. Ndoshta mjafton që e kemi Kryeministrin, i cili krenohet për arritjen e marrëveshjes me Serbinë në villat e Titos në Ohër. Madje krenohet se i ka bërë Serbisë ofertë shumë gjeneroze për asociacionin e komunave me shumicë serbe, por që ajo nuk e ka pranuar”.

Kujtojmë se për çështjen e bordit të Trustit kanë reaguar edhe partitë tjera opozitare në Kosovë duke thënë se miliona euro është duke i humbur Kosova.

/Shqip.com